Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me unanimitet të plotë sot i ka dhënë dritën jeshile në parim Projektligjit për çmimin e produkteve medicinale. Por, karshi këtij projektligji shprehën disa mangësi si deputetët e opozitë, por edhe ata nga mazhoranca.
Kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha u shpreh se përmes këtij projektligji përcaktohet nivelizimi i çmimit të barnave në treg.
“ Po ashtu, politika e propozuar përcakton nivelizimin e çmimit të barnave në tregun privat dhe përcaktimin e çmimeve maksimale për blerje apo rimbursim nga institucionet publike...Përfituesit do të jetë qytetari, konsumatori e pacienti dhe qëllimi përfundimisht është të rregullohet jo me udhëzim administrativ por me ligj sepse nuk ka qenë e mjaftueshme”, theksoi ajo.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se projektligji në fjalë i favorizon oligarkët e tregut farmaceotik dhe është në disfavor të pakicave.
E Mirsad Shkreta nga Lëvizja Vetëvendosje u shpreh se ky projektligj është i përpunuar mirë. Ai konsideron se është neni 9 që bën kalkulimin e çmimit e jo neni 10, prandaj konkludimin e deputetit Haxhiu se ky ligj i favorizon oligarkët e konsideroi të pavërtetë.
E deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj konsideroi se projektligji në fjalë ka ardhur në Kuvend me vonesë, por që, sipas tij, ky projektligj duhet të bëhet i implementueshëm. Ai theksoi brengën se në këtë propozim nuk është paraparë rimburisimi, Dreshaj u shpreh se nuk është marrë parasysh asnjë rekomandim.
Deputetja, Labinotë Demi-Murtezi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se ka vërejte për mandatin e Komisionit, por edhe kompetencat që i jepen rreth funksionimit të këtij komisioni ministrit të Shëndetësisë.
Ndonëse e konsideroi si lajm të mirë ardhjen për shqyrtim në Kuvend Projektligjin për çmimin e produkteve medicianle, deputeti, Haxhi Avdyli kërkoi të rritet numri i inspektorëve farmaceutik me qëllim që ky projektligj të gjejë zbatim.