Komisioni për Arsim miraton marrëveshjen për qasjen në arsimin e lartë në rajon
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Komisioni për Arsim miraton marrëveshjen për qasjen në arsimin e lartë në rajon
Komisioni per Arsim
03/03/2026 - 13:15
Linku u kopjua

Komisioni për Arsim ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për qasjen në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.

Për ta prezantuar marrëveshjen në komision erdhi edhe ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, i cili tha se me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të lehtësohet qasja e studentëve nga Kosova në universitetet rajonale, raporton KosovaPress.

Për më tepër, sipas tij, marrëveshja e cila është në kuadër të Procesit të Berlinit do ta afrojë rajonin me praktikat e Unionit Evropian në fushën e arsimit.

“Paraqes për shqyrtim projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për qasjen në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor. Kjo marrëveshje, e nënshkruar më 14 tetor 2024, në Berlin, nga përfaqësues të Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, synon të krijojë një hapësirë më të hapur dhe më funksionale të arsimit të lartë në rajon. Përmes saj lehtësohet qasja dhe pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, duke hequr pengesat administrative dhe duke afruar standardet akademike ndërmjet vendeve pjesëmarrëse. Me këtë projektligj ne synojmë të garantojmë mobilitet real akademik, njohje të ndërsjellë të kualifikimeve të arsimit të mesëm dhe të lartë, si dhe të forcojmë bashkëpunimin institucional në fushën e arsimit. Kjo marrëveshje është pjesë e Procesit të Berlinit, siç edhe e dini, dhe synon të rrisë bashkëpunimin rajonal në fushën e arsimit të lartë, duke u bazuar në vlerat dhe standardet evropiane”, tha ai.

Mbështetje ratifikimit të kësaj marrëveshjeje i dha edhe anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj.

“A mund të jetë kjo një platformë që ne në të ardhmen të kemi një mobilitet akademik për studentë të cilët vijnë në një vend që është në një fazë të caktuar të integrimit evropian”, theksoi Hoxhaj.

Po ashtu, të dobishme këtë ujdi po e konsideron edhe anëtarja tjetër e komisionit nga radhët e LDK-së, Jehona Lushaku.

“Kjo është një prej marrëveshjeve tepër të dobishme për të gjithë sistemin e arsimit. Ajo krijon lehtësira dhe është një hap përpara drejt integrimit evropian dhe heqjes së barrierave që kanë universitetet dhe shkollat në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ajo.

Pas kalimit në Komision kjo ujdi pritet të shkojë edhe në Kuvend për ratifikim. /KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026