Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit amerikan miratoi të martën kandidaturën e diplomatit David J. Kostelancik në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Shtëpia e Bardhë e riemëroi Kostelancik këtë vit si ambasador në Shqipëri, duke rifilluar procesin për shqyrtimin e kandidaturës, pasi në përfundim të kalendarit legjislativ të vitit të kaluar, së bashku me dhjetëra emërime të tjera, ajo nuk u fut në rendin e ditës të Senatit për votim. Emërimet ishin bllokuar nga disa senatorë republikanë, një praktikë e zakonshme kjo e betejave politike në Uashington.
Për emërimet që i ridërgohen Senatit, zakonisht nuk zhvillohen seanca të dyta dëgjimore. Ende nuk dihet nëse Senati do ta marrë në shqyrtim në kalendarin e tanishëm legjislativ votimin e kandidaturës së tij dhe se kur mund të ndodhë. Vitin e kaluar, më 30 mars, gjatë seancës dëgjimore për miratimin e kandidaturës së tij në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë, Kostelancik pati parashtruar përparësitë e tij si ambasador i ardhshëm në Shqipëri. Kostelancik është diplomat karriere i Shërbimit të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara dhe ka shërbyer në Shqipëri edhe më herët, në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur në Tiranë.