Edhe këtë herë mes përplasjesh pozitë dhe opozitë nuk është votuar lista e dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim në Komisionin hetimor parlamentar për dyshimet rreth keqmenaxhimit me energjinë 2006-2022.
Deputeti Armend Muja i ka propozuar emrat e bartësve të institucioneve që kanë qenë në pozita të ndryshme vendimmarrëse gjatë atyre periudhave, por kjo është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.
Këtë propozim e ka kundërshtuar deputeti Armend Zemaj nga LDK-ja , i cili ka kërkuar rishikimin e listës.
“Unë ju kisha lutur ta shqyrtoni edhe njëherë saktë listën. Nuk mund të miratohet lista pa pozicione të njerëzve d.m.th. cila është ndërlidhja e tyre në këtë proces, sepse për disa u thanë për disa nuk u thanë, nuk u potencua vendimmarrja... Ne mund të fillojmë ad-hoc në kuptimin e intervistuesve se sa të fusim emra të përveshëm të bëjmë teori konspiracioni, të bëjmë lajme me emra politikë edhe administrativë” ka thënë Zemaj.
“Unë mendoj që nuk bën, por duhet të fillojmë ta gjejmë një zgjidhje dhe të fillojmë me vite nëse doni, por të mos pengohemi se po i bie që po pengohet një komision hetimor” ka thënë Bajqinofci.
Time Kadrijaj nga AKK-ja ka shtuar se deputetët e LVV-së po e kthejnë në pikën zero këtë komision.
Rrezarta Krasniqi nga LDK-ja ka kërkuar të largohen nga lista të vdekurit dhe ata të cilët janë në Hagë.
“Ata emra që janë në Hagë dhe personat që kanë vdekur, ata duhet larguar dhe të votohet kjo listë”, tha Krasniqi
“E kam një emër konkret që lidhet me atë kundërshtimin e Contra Globalit që ka qenë përpara Haki Abazi,” tha Qalaj.
Por Arbër Rexhaj nga LVV kërkoi që nga lista të mos largohen Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli të cilët janë në Hagë.
Deputeti Hajdar Beqa i PDK-së tha se propozimi i Rexhajt nga VV-ja është në kundërshtim me mandatin e komisionit.
“Nëse Rexhaj e bind kryeministrin Kurti që ta bëjë një zotim me shkrim që garanton se Thaçi dhe Veseli mund të marrin pjesë në këtë komision, ne do t’i votojmë, por kjo çka po thotë Rexhaj është në kundërshtim me mandatin e komisionit dhe i bie se nuk dëshirojmë të kemi raport përfundimtar... Unë e kisha përfunduar mbledhjen edhe shihemi në mbledhje të radhës”, tha Beqaj.