KOMF i është adresuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me kërkesën për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në kuadër të Programit të Kuponëve.
KOMF bën të ditur se me vëmendje ka përcjell njoftimin për hapjen e thirrjes për regjistrimin e institucioneve të edukimit në fëmijërinë e hershme në kuadër të Programit të Kuponëve, i cili do të zbatohet deri në qershor të vitit 2028 dhe ka për qëllim mbështetjen e familjeve përfituese të Skemës së Asistencës Sociale.
Sipas KOMF, fëmijët me aftësi të kufizuara vazhdojnë të kenë përfshirje tejet të ulët në institucionet e edukimit të hershëm, sidomos në ato private. Kjo situatë rëndohet më shumë nga: Shpenzimet shumë të larta të prindërve për sigurimin e asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara në institucionet për edukimin e hershëm; Kostot e larta të shërbimeve profesionale rehabilituese mbështetëse për fëmijët me aftësi të kufizuara (shërbimet psikologjike, sociale, logopedike, ergoterapeutike, fizioterapeutike, etj.), shpenzime të cilat rëndojnë tej mase familjet që gjithsesi përballen me vështirësi të mëdha ekonomike. Aktualisht, ka familje që paguajnë deri në 600–700 Euro në muaj, pasi duhet të mbulojnë shpenzimet për kopshtin privat, pagesën e asistentit për fëmijën me aftësi të kufizuara dhe shërbimet profesionale.
“Bazuar në këto fakte dhe në obliglimin kushteutes dhe ligjor të Republikës së Kosovës për garantimin e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara pa diskriminim, KOMF kërkon që në Programin e Kuponëve të përfshihen edhe fëmijët me aftësi të kufizuara, pavarësisht nëse familjet e tyre janë përfituese në Skemën e Asistencës Sociale apo jo”, thuhet në njoftim.
“Duke marrë parasysh specifikat individuale dhe nevojat e shumta që kanë fëmijët me aftësi të kufizuara, vlerësojmë se kostoja e kuponëve për mbështetjen e fëmijëve me aftësi te kufizuara duhet të jetë më e lartë, për të reflektuar mbështetjen e shtuar profesionale që është e domosdoshme për përfshirjen e tyre efektive në edukimin e hershëm”, thuhet në thirrjen e KOMF.
Përfshirja e tyre në këtë program do të Nxisë gjithë përfshirjen e fëmijëve më aftësi të kufizuara në edukimin në fëmijërinë e hershme, lehtësojë barrën financiare të prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara, si dhe përmbush obligimet ligjore të Republikës së Kosovës në raport me Konventën për të Drejtat e Fëmijës të përfshirë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.