Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) ka marrë vendim sot që për herë të parë të dhurojë bursa olimpike edhe për trajnerët.
Sipas kritereve të caktuara, përfitues të bursave mujore do të jenë trajnerët, sportistët e të cilëve kanë fituar medalje në Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore, Kampionatet Evropiane, Lojërat Mesdhetare, Lojërat Olimpike për të Rinj dhe Festivalet Olimpike Evropiane për të Rinj (EYOF), raporton KosovaPress.
“Me rritjen e buxhetit të KOK-ut, që është synim i yni i vazhdueshëm, kemi vendosur që krahas 22 bursave olimpike Paris 2024 dhe 25 bursave për shpresat olimpike, të ndajmë bursa edhe për trajnerët, të cilët duam t’i mbështesim dhe motivojmë në mënyrë që drejt Paris 2024 të kemi sa më shumë norma olimpike”, tha presidenti Krasniqi.
Komisioni i sportit, i cili vepron në kuadër të KOK-ut, do ta bëjë përzgjedhjen e trajnerëve, ndërsa këta të fundit do të përfitojnë bursat nga muaji janar i vitit të ardhshëm.