Vendimi i Komisionit të Arbitrazhit Sport (KAS) në favor të klubit të futbollit Prishtina e cila kishte bërë ankesë kundër Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) pasi kjo e fundit nuk e kishte licencuar si klub dhe si pasojë Prishtinës iu mohua e drejta për të marrë pjesë në garat dnërkombëtare.
Vendimi i KAS-it u kontestua menjëherë nga Federata e Futbollit të Kosovës e cila ndër të tjera e quajti vendim të pabazuar në ligj dhe se nuk është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e KAS-it. Më tutje, FFK ka bërë të ditur se për këtë rast do ta njoftojë edhe Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.
Ndaj këtyre pretendimeve, ka reaguar Komiteti Olimpik i Kosovës duke thënë se KAS-i nuk është institucion i tyre, por është i pavarur.
Ja reagimi i plotë i KOK-ut:KAS është një organ i pavarur, i cili zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme e KOK-ut dhe funksionon në përputhje me legjislacionin sportiv dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë sportive. Anëtarët që e përbëjnë KAS-in zgjidhen po ashtu nga Asambleja e KOK-ut për ciklin olimpik 2021-2025 dhe pikërisht z. Eroll Salihu, si kryetar i KAS-it, është propozuar nga FFK-ja për anëtar, sikurse anëtarët tjerë nga federatat tjera.
KAS-i nuk është i KOK-ut, siç pretendon FFK-ja dhe nuk i raporton KOK-ut, siç nuk i ka raportuar as në vendimin e fundit ndaj FFK-së, e as vendimeve paraprake ndaj federatave tjera. Pra, KOK nuk ndërhyn në proceset vendimmarrëse të KAS-it dhe nuk ndikon në vendimet e tij, duke respektuar në tërësi autonominë e këtij institucioni.
KOK-u është i përkushtuar të sigurojë që çdo organ i krijuar për zgjidhjen e çështjeve sportive të funksionojë në përputhje me parimet e drejtësisë dhe paanshmërisë. Në këtë kontekst, KOK-u i bën thirrje të gjitha federatave, përfshirë FFK-në, që të respektojnë parimet e drejtësisë sportive dhe të shmangin çdo lloj presioni që mund të cenojë pavarësinë e KAS-it. KOK fton të gjitha organizatat sportive të bashkëpunojnë për një klimë sportive të drejtë dhe të ndershme. Çdo ndërhyrje ose presion mbi KAS-in dëmton jo vetëm integritetin e këtij organi të pavarur, por edhe frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional në sportin tonë.