Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ndaj vrasjes së një gruaje shtatzënë në Gjinekologji, duke thënë se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të mekanizmave mbrojtës të shtetit.
Mbrëmë rreth orës 18:00 në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, është vrarë H. M., nga një person që dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i saj S. H. dhe i cili ende nuk është arrestuar. E ndjera ishte vendosur në Klinikën e Gjinekologjisë ku pritej të lindte së shpejti.
KMDLNJ kërkon dhe pret që Policia e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur të arrestojë të dyshuarin dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjës ta nxjerrin para organeve të drejtësisë.
KMDLNJ apelon qytetarët që të informojnë Policinë e Kosovës në rast se kanë dijeni për vendndodhjen e dorasit në mënyrë që të arrestohet sa më parë, teksa kundërshton fuqishëm deklaratat nxitëse dhe shpërdoruese të politikanëve që duke keqpërdorur viktimat, edhe aty duan të përfitojnë politikisht.
KMDLNJ konstaton se po të ishte respektuar dhe mbikëqyrur urdhri për mbrojtje do të kishte siguri më të madhe për të ndjerën H. M.
“Lëshimi më i madh është bërë për faktin se të dyshuarit nuk i ishte vendosur unaza elektronike, baza juridike për të për të cilën ekziston e që parashihet me Ligj që ishte miratuar para dy vjetëve. Zinxhiri i përgjegjësisë është i gjatë dhe çështja nuk përmbyllet me arrestimin e të dyshuarit për vrasje”, përfundon reagimi i KMDLNJ-së.