Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me vonesën për të paditur Serbinë për gjenocid dhe krime lufte.
KMDLNJ vlerëson se premtimi për padi për gjenocid kundër Serbisë ka qenë dhe mbetet premtim elektoral.
Më tej thuhet se KMDLNj ka qenë pjesë shumë kontribuese e Grupit Punues, si për rithemelimin e Institutit për Krime Lufte ashtu edhe për Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale.
“KMDLNj ka kundërshtuar që Instituti për Krime Lufte të jetë brenda dhe nën përgjegjësi të Zyrës së Kryemkmistrit por se duhet të jetë një institucion i pavarur hulumtues, jashtë çdo ndikimi politik sikur që është në çdo vend të botës. Drejtori i Institutit nuk ka kaluar nëpër filtrat e vlerësimit profesional përmes konkursit por është i emëruar politik i KM Kurti. Gjithashtu, dokumenti final i Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale që është miratuar nga qeveria e Kosovës me propozim të MD - së nuk është i pranueshëm e as i zbatueshëm, as si formë e as si përmbajtje për faktin se nuk janë integruar brenda këtij dokumenti propozimet dhe rekomandimet e organizatave që kanë përvojë në këtë fushë përveç organizatave që kanë raport klientelist me qeverinë”, thuhet në reagim.KMDLNJ thotë po ashtu se “premtimi për padi për gjenocid kundër Serbisë ka qenë dhe mbetet premtim elektoral që nuk ka gjasa teorike të realizohet gjatë këtij mandati e as në mandatin e radhës pavarësisht se kush do të jetë në krye të vendit. Instituti për Krime Lufte nuk ka kapacitet profesional të merret me këtë çështje dhe as materiale të mjaftueshme. Realisht, që nga themelimi nuk ka asnjë aktivitet hulumtues përveç se mundohet të përfitojë nga puna e të tjerëve, pa zgjedhur mjete për të ardhur te materialet. KMDLNj ka fakte të mjaftueshme për këtë”.
Në fund thuhet po ashtu se ky Institut mundet, përmes një bashkëpunimi korrekt e jo korruptiv dhe shantazhues, të punojë për ruajtjen e Kujtesës Historike përmes krijimit të një baze të të dhënave të përqëndruar, si një Institut i pavarur hulumtues e jo si një institut i instrumentalizuar nga politika.