Klubi politik “Afrim Zhitia” ka mbajtur një tryezë politike në shënimin e 33-vjetorit të demonstratave të 30 dhe 31 majit 1989, të organizuar nga LPK-ja me rastin e vizitës së parlamentarëve evropianë në Prishtinë.
Tryezës politike përmes një video i është adresar eurodeputetja Doris Pack, kurse me telegram përshëndetës kryetari i BDI Ali Ahmeti, pastaj me kumtesa u paraqitën Ragip Shala, Reshat Sahitaj, Bajram Gashi dhe Ismet Sylejmani.“E ndiej si detyrë timen të angazhohem për ju qysh prej atyre ditëve të aparteidit serb ndaj shqiptarëve në vitet e 80-ta dhe 90-ta, pastaj gjatë luftës , deri në çlirim e sot në pavarësi jam me ju. Shpresoj që edhe pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë gjë sa më parë. Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës dhe uroj të vazhdoni ta ndërtoni vendin tuaj që fëmijët tuaj të rriten e të punojnë në vendin tuaj”, tha Pack.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, njëri ndër vendimmarrësit për demonstratat e majit 1989, në telegramin drejtuar tryezës politike, ka përgëzuar organizimin e këtij evenimenti në nderim të rolit të LPK-së dhe demonstratës së organizuar me rastin e ardhjes në Kosovë të të zgjedhurve të Evropës me votë të lirë e demokratike.
“Në mars 1989, mbas suprimimit të dhunshëm të Kushtetutës së vitit 1974 , Kosovën do ta vizitojnë 25 eurodeputetë të Parlamentit Evropian , të kryesuar nga Doris Pack . Gjatë vizitës së parlamentarëve, LPK-ja mori vendim për organizimin e demonstratave të 30 dhe 31 majit 1989. Nën organizim të sekretarëve politik dhe organizativë Afrim Zhitia dhe Fadil Vata , si dhe Sabri Kiçmarit demonstratat do të organizohen në Prishtinë dhe Podujevë”, tha ai.
Bajram Gashi kumtesën e tij shpalosi personalitetin e Afrim Zhitisë me të cilin kanë ndarë qelinë e burgut në Pozharevci.
Reshat Sahitaj, në kumtesën e tij shpalosi rëndësinë e demonstratave të 81-tës dhe 89-tës, ndërsa Ismet Sylejmani kryetar nderi i Klubit Politik “Afrim Zhitia” u paraqit me kumtesën “LPK Lëvizja më e suksesshme e luftës për liri”.