Klintonët pranojnë të dëshmojnë për dosjet Epstein
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Klintonët pranojnë të dëshmojnë për dosjet Epstein
Clinton,Epstein
03/02/2026 - 11:17
Linku u kopjua

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, ish-sekretare e Shtetit, kanë pranuar të dëshmojnë në hetimin e Kongresit lidhur me financierin e ndjerë dhe pedofilin Jeffrey Epstein.

Lajmi vjen disa ditë para një votimi në Kongres për shpërfillje penale, pasi kishin refuzuar të paraqiteshin para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve pas një përplasjeje disa mujore, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

Bill Clinton ka qenë i njohur me Epsteinin, i cili vdiq në burg në vitin 2019, por ka mohuar se kishte dijeni për krimet e tij seksuale dhe ka deklaruar se kishte ndërprerë kontaktet me të rreth dy dekada më parë.

Sipas BBC, ende nuk dihet se kur do të zhvillohen dëshmitë, por kjo do të shënojë herën e parë që një ish-president i SHBA-së dëshmon para një komiteti të Kongresit që nga viti 1983, kur kishte dëshmuar Gerald Ford.

Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga republikanët, kishte miratuar muajin e kaluar masën për shpalljen e Klintonëve në përbuzje, me mbështetjen edhe të disa demokratëve.

Të hënën mbrëma, zëvendësshefi i stafit të Bill Clintonit, Angel Ureña, konfirmoi në platformën X se çifti do të paraqitet para komitetit.

“Ata negociuan në mirëbesim. Ju nuk e bëtë”, shkroi Ureña, duke iu drejtuar Komitetit Mbikëqyrës. “Ata ju thanë nën betim atë që dinë, por ju nuk u intereson. Megjithatë, ish-presidenti dhe ish-sekretarja e Shtetit do të jenë aty dhe mezi presin të vendosin një precedent që vlen për të gjithë”.

Të dy Klintonët kanë deklaruar se më herët i kanë dorëzuar komitetit deklarata nën betim dhe se kanë ofruar tashmë informacionin e kufizuar që kishin lidhur me Epsteinin.

Ata i kanë quajtur thirrjet ligjore si “një përpjekje për të turpëruar rivalët politikë”, duke pretenduar se janë nxitur nga ish-presidenti Donald Trump.

Bill Clinton nuk është akuzuar kurrë për keqbërje nga viktimat e Epstein, ndërsa regjistrat e avionit privat të këtij të fundit tregojnë se Clinton kishte udhëtuar në katër fluturime ndërkombëtare në vitet 2002 dhe 2003.

Fotografi të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë e shfaqin ish-presidentin në pronën e Epstein, përfshirë një ku ai shihet duke notuar në pishinë dhe një tjetër në atë që duket si vaskë me ujë të nxehtë. Sipas përfaqësuesve të Clinton, këto fotografi janë dekada të vjetra dhe marrëdhëniet me Epsteinin ishin ndërprerë para se krimet e tij të bëheshin publike.

Muajin e kaluar, Klintonët i dërguan një letër kryetarit të Komitetit Mbikëqyrës, James Comer, duke kritikuar mënyrën e trajtimit të hetimit.

“Vendimet dhe prioritetet tuaja si kryetar kanë penguar zbardhjen e fakteve rreth rolit të qeverisë”, thuhet në letër, duke shtuar se “nuk ka shpjegim tjetër për veprimet tuaja përveç politikës partiake”.

Nga ana tjetër, Comer ka theksuar se thirrjet ndaj Klintonëve janë miratuar me votë dypartiake dhe se “askush nuk është mbi ligjin”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026