Klinaku: Specialja gjykon vetëm shqiptarët
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, sot gjatë protestës së mbajtur në Prishtinë kundër dënimit të Sali Mustafës nga Gjykata Speciale, tha se populli i Kosovës që nga përfundimi i luftës së UÇK-së, por edhepse Kosova është shtet i pavarur, populli është përballur e përballet me shumë sfida e padrejtësi.

Ai u shpreh se Gjykata Speciale gjykon vetëm shqiptarët, por jo krimet e kryera në Kosovë.

“UNMIK-u kishte mandat që të gjykonte krimet e kryera në Kosovë, por akuzoi e gjykoi vetëm shqiptarët. Eulexi kishte mandat që të gjykojë krimet e kryera në Kosovë, por akuzoi vetëm shqiptarët. Gjykata Speciale gjykon vetëm shqiptarët, por jo krimet e kryera në Kosovë. Jo krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar pushtuesi serbë ndaj civilëve. Ajo gjykon luftën tonë çlirimtare, gjykon vetëm UÇK-në si organizatë, duke e quajtur edhe ndërmarrje e përbashkët kriminale. Themeluesit dhe udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Sali Mustafa, Pjetër Shala gjenden prapa grilave në Hagë, sepse siç u tha, gjykohet lufta jonë e nuk gjykohen krimet dhe masakrat e pushtuesit serbë.”, tha ai.

Klinaku deklaroi se për shkak të padrejtësive që bëheshin, organizatat e dalura nga lufta e UÇK-së kanë qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, për çka tha se kanë mbajtur edhe protestë para Kuvendit dhe se vazhdimisht kanë kërkuar që me krimet e luftës të merren gjykatat vendore, “për arsye që ndërkombëtarët e kishin dhe e kanë target vetëm UÇK-në, por jo krimet e kryera në Kosovë”.

“Por jo qindra e mijëra masakra të kryera ndaj civilëve nga ana e pushtuesit serb. Duke e ditur e parë s epo ndodh padrejtësia, vazhduam përpjekjet tona në drejtim të përmirësimit të saj, kërkuam amandamentimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, mblodhëm peticion me mbi 16 mijë nënshkrime dhe ia dërguam Kuvendit, por nuk u bë asgjë nuk u bë në këtë drejtim. Pas skadimit të mandatit 5 vjeçar, insistuam që përmes deputetëve, ta dërgojmë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, fatkeqësisht as kjo nuk u bë. Për arsye të kundërshtimit dhe rregullimit të padrejtësive, krerët e Organizatës së Veteranëve, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj gjenden prapa grilave në Hagë, gjoja për pengim të drejtësisë. Në vend se Specialja ta hetojë veten e saj për skandalet që i dolën nga zyrat e tyre, ata mbi dy vite mbajtën peng Hysniun e Nasimin dhe kur e shqiptuan dënimin e bën me direktiva politike. Si mund të dënohen krerët e organizatës me nga katër vite e gjysmë, sepse organizata e jonë e ka njoftuar publikun për bashkëpunimin me Dhomat e Specializuara me pushtuesin serb.”, tha ai.

Klinaku u shpreh se padrejtësia tjetër e Gjykatës Speciale ishte edhe shqiptimi i dënimit të parë për krime lufte ndaj komandant Sali Mustafës.

Ai shtoi se Kuvendi i Kosovës duhet ta ndryshojë ligjin e Dhomave të Specializuara.

“Me dosje të përpiluar nga Serbia, me dëshmitarë nga populli, e dënim në emër të popullit, për çka, për vrasjet që ka bërë pushtuesi serb, çfarë absurdi i llojit të vetë. Nuk ka pasur e as nuk ka gjykatë në botë, edhe ato që merren me krime lufte, e cila merret vetëm me një etni. Prandaj, Kuvendi i Kosovës duhet që këtë herë të jetë në nivel të detyrës dhe ta ndryshojë ligjin e Dhomave të Specializuara”, shtoi tutje Klinaku.

https://kosovapress.com/perfundoi-protesta-kunder-gjykates-speciale/
https://kosovapress.com/%e2%80%8bmolliqaj-specialja-monstrum-juridik-qe-perndjek-uck-ne/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024