Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur sërish subjetin politik Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë e 500 euro, për shkak të gjuhës së përdorur nga kryeministri Albin Kurti, në një tubim elektoral në Podujevë.
Vendimi vjen pas ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërsa në vendimin e PZAP thuhet: “Më tutje parashtruesi i ankesës thekson se për ilustrim se çka ka thënë kryeministri Kurti në fjalimin e tij në Podujevë, të transkriptuar edhe në tekst e gieni si në vijim: "Te dashur qytetarë të Llapit, LYDYKYII - Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është Lidhje, por është lodhje, dhe nuk është demokratike, por është dokrarike, e ne përgjithësi mender methane opozita po i japin zor mule anej mule knej për vend të dytë, poget e kanë pa edhe ata vet që s’ka ymyt, se qashtu qysh Shpejtimi i ka myt, Vetëvendosja po i myt cep më cep në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendimin e PZAP-së, raporton KosovaPress.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, para disa ditësh po ashtu e kishte gjobitur VV-në me 3 mijë euro, për shkak të gjuhës së përdorur nga Kurti në tubimin zgjedhor të mbajtur në Pejë.
Ditë më parë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka dënuar me 20.000 euro Lidhjen Demokratike të Kosovës për shkelje të “Kodit të Mirësjelljes” gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.