Kirurgu Berisha: Falë kongreseve dhe angazhimit në klinika po avancojmë në trajtimin e plagëve
Shëndetësi
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kirurgu plastik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Korab Berisha tha se të gjitha ligjërimet dhe prezantimet në kuadër të Kongresit të katërt të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës janë të një rëndësie të veçantë. Ai potencoi se kirurgët nga SHBA-ja dhe shtetet e tjera evropiane dhe rajonale, duke ndarë përvojën e tyre në këtë kongres, u mundësojnë kirurgëve kosovarë të marrin më të mirën dhe të aplikojnë tek pacientët.

“Rëndësia e kongresit që është duke u mbajtur që nga dje dhe sot që vazhdon edhe nesër është shumë e madhe. Për shkak të shumë prezantimeve që i kemi ne kolegët, kirurgët, mjekët emergjentë dhe anesteziologët vendorë kemi edhe mysafirë ligjërues nga SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Austria dhe shtetet e tjera të Evropës dhe të rajonit. Gjithë këta kolegë që vijnë dhe prezantojnë raste janë të rëndësisë së veçantë për shkak se sjellin protokolle të ndryshme. Sjellin publikime, research të fjalës së fundit që ndodhin në Evropë dhe në botë dhe ne bashkërisht më kolegët tjerë kemi mundësinë që këto informacione, këto publikime të marrim nga më e mira dhe bashkërisht t’i aplikojmë tek operimet tona dhe tek pacientët”, tha Berisha.

Kirurgu Berisha derisa tregoi për temën të cilën prezantoi në këtë kongres, u bëri thirrje të gjitha grave të operuara nga kanceri i gjirit të shkojnë për konsultë në Klinikën e Plastikës në QKUK, në mënyrë që të operohen falas për rikonstruktim të gjirit.

“Ndër operacionet që i kryejmë në Kirurgjinë Plastike është një i rëndësisë së veçantë. Është rikonstruksionini gjirit tek gratë që ka qenë të prekura nga kanceri i gjirit që kanë të larguara gjoksin pas largimit të kancerit. Ne i ftojmë dhe i inkurajojmë të gjitha gratë që dikush është duke na përcjellë, familjarë, miq apo shokë që e ka dikë më familje mund të vijë çdo ditë në Kirurgjinë Plastike nga mëngjesi në orën 08:00 deri në orën 14:00 për t’u konsultuar dhe si të bëhet konsultimi pastaj përcaktojmë edhe mënyrën e konstruksionit të gjirit. Të gjitha format e operimit bëhen falas për gra”, potencoi Berisha.

Në Kongresin e katërt të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, ku po marrin pjesë rreth 500 profesionistë shëndetësorë të lëmive të ndryshme, Berisha prezantoi temën që ka të bëjë me trajtimin bashkëkohor të plagëve.

Ai tha se falë organizimit të kongreseve të tilla dhe angazhimit në klinikat vendore dhe ato jashtë vendit, bashkë me kolegët e tjerë kanë arritur të avancojnë sa i përket trajtimit apo mbylljes së plagëve akute dhe atyre kronike.

“Temën time që e kam prezantuar ka qenë trajtimi bashkëkohor i plagëve. Ka qenë temë me të cilën kam prezantuar disa raste klinike po ashtu edhe trajtimin bashkëkohor modern me vakt terapi apo presion negativ. Ku kemi raste të shumta që vijnë por falë kongreseve dhe angazhimit tonë si në klinikë po ashtu edhe jashtë vendit kemi arritur të avancohemi dhe bashkë me kolegët e Kirurgjisë Plastike bëjmë një punë të mirë sa i përket trajtimit, mbylljes së plagëve qoftë ato akute apo ato kronike”, theksoi Berisha.

Në ditën e dytë të Kongresit të katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës i cili po mbahet në Prishtinë, krahas pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të botës kanë ardhur për të ligjëruar 50 kirurgë të njohur, ndërsa edhe 64 ligjërues janë nga Kosova e vendet e rajonit.

https://kosovapress.com/kirurgu-grek-pikoulis-kongresi-po-sjell-ide-te-reja-per-kirurgjine

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024