Pas sukseseve vitin e kaluar, kick-boksierët kosovarë synojnë që nga garat ndërkombëtare t’i sjellin Kosovës medalje të tjera edhe gjatë vitit 2025.
Gjashtë sportistë që e përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare vijnë nga “Creative Fight Club”, ku puna intensive e kick-boksierëve ka nisur që në ditët e para të këtij viti.
“Viti i kaluar ka qenë i suksesshëm, kemi pasur disa aktivitete kur kemi arritur edhe suksese të ndryshme. Në bazë të atyre sukseseve jam zgjedhur edhe trajneri më i mirë për vitin 2024. Viti 2025 do të ketë dyfish aktivitete. Fillimisht kemi garat ndërkombëtare profesionale ku kemi meçin tani më 25 janar në Belgjikë me Dardan Menxhiqin, gjithashtu i kemi edhe dy meçe radhazi në shkurt dhe në mars. Në mars pritet të mbahet Kampionati i Kosovës ku edhe aty bëhet përzgjedhja e më të mirëve në Përfaqësuesen e Kosovës”, tha Menxhiqi.
Derisa thotë se te të rinjtë ka interesim të madh për sportin e kick-boksit, Menxhiqi pret më shumë ndihmë nga Ministria e Sportit për garat vendore gjatë këtij viti.“Ka shumë gara, tri i kam tani më 25 janar, 22 shkurt dhe 29 mars, i kam të gjitha me ftesa nga Holanda dhe Belgjikës. Pra, e para është më 25 janar, thirret MJF Events, e dyta është Battel Arena dhe e treta si më e rëndësishmja për mua është Enfusion Kickboxing që është prej tri federatave më të mira në botë, më e fuqishmja”, tha Menxhiqi.
Njëri nga talentet që i është përkushtuar këtij sporti është edhe Blin Kerhanaj, i cili ëndërron të fitojë trofe, por edhe të bëhet se kick-boksieri i njohur shqiptar, Florian Marku.