KGjK letër Kurtit, paralajmëron se prej nesër mund të ndalë punën
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Mosfunksionimi i sistemit të klimatizimit në Pallatin e Drejtësisë dhe rritja e temperaturave në ambientin e punës ka bërë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) t’iu dërgojë letër publike kryeministrit Albin Kurti, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe ministrave Xhelal Sveçla, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati.

Sipas njoftimit, KGJK-ja dhe kryetarët e gjykatave, që punojnë në Pallatin e Drejtësisë, po kërkojnë krijimin e kushteve elementare për punë, pasi temperaturat në ambientin ku punojnë po arrinë deri në 35 gradë Celsius. Në të kundërtën, kanë paralajmëruar se do të dëmtohen një numër i konsiderueshëm i proceseve gjyqësore në zhvillim e sipër.

“Edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, ndër vite, që bashkërisht me secilin nga përgjegjësit të punojmë për përmirësimin e kushteve elementare të punës në Pallatin e Drejtësisë, gjendja është përshkallëzuar edhe më tepër dhe tani kemi arritur në situatën që gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës Supreme, të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të Gjykatës së Apelit, të Gjykatës Komerciale dhe të Gjykatës Themelore të Prishtinës të punojnë në kushte alarmante të punës, si rezultat i mosfunksionimit të sistemit të ajrosjes në Pallatin e Drejtësisë”, thuhet në letër.

KGjK përmes kësaj letre ka theksuar se nesër (e martë) “në koordinim me kryetarët e gjykatave që punojnë në Pallatin e Drejtësisë është i detyruar që në takimin e paralajmëruar për datën 25 korrik 2023 të merr vendim për ndërprerjen e punës deri në përmirësimin e gjendjes teknike ose rënies së temperaturave”.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes kësaj letre ka kërkuar që të ndërmerren masa urgjente për përmirësim të gjendjes dhe krijim të kushteve elementare për punë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024