Këtë vit pritet të filloj regjistrimi i kafshëve nëpër ferma
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës këtë vit do ta bëjë nëpër ferma regjistrimin e kafshëve të fermerëve në gjithë territorin e Kosovë nga veterinari i cili do të kontraktohet nga AUV-ja.

Sipas njoftimit të ministrisë, kjo do të bëhet bazuar në Udhëzimin  e ri Administrativ.

“Bazuar në këtë UA, fermerëve do t’iu mundësohet që në fermat e tyre veterinari i autorizuar t’i pajisë me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë këtu shpërndarjen e numrit të regjistrimit për identifikimin e lopëve, deleve, dhive, derrave, buallicave e kafshëve tjera”, thuhet tutje.

Për të realizuar këtë proces, AUV-ja do t’i kontraktojë ambulantat veterinare dhe do t’i furnizojë ato me numra identifikimi dhe regjistrimi, duke i mbuluar kështu të gjitha shpenzimet për pajisjen e kafshëve nëpër ferma me numra të regjistrimit, pa asnjë shpenzim për fermerët.

“Numrat për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve (matrikull) do të jenë me specifika të veçanta, ku identifikohet përmes barkodit, shenjën RKS me numër që specifikon llojin e kafshës dhe regjionit ku e zhvillon aktivitetin bujqësor fermeri dhe (2+6) numra unik rendor. Përmes kësaj forme ndihmohet dhe lehtësohet gjurmimi i lëvizjes së kafshëve në gjithë territorin e Kosovës”, thuhet tutje.

Gjithashtu, në komunikatë thuhet se numri do të jetë me standarde të BE-së dhe me A test, që do të jetë me ngjyrë të verdhë dhe vendoset në dy veshët e një kafshe me të njëjtin barkod dhe specifikat tjera identifikuese.

Për fillimin e procesit të identifikimit të kafshëve, MBPZhR - AUV do t’i njoftoj me kohë të gjithë fermerët përmes faqeve zyrtare të institucionit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025