Këshilli i Bashkimit Evropian zgjati sot sanksionet ekonomike kundër Rusisë edhe për gjashtë muaj të tjerë në funksion të luftës të Rusisë kundër Ukrainës. Kështu thuhet në një komunikatë për media të publikuar në faqen e Këshillit të BE-së, transmeton Ukrinform.
“Këshilli sot rinovoi edhe për 6 muaj të tjerë masat e tij kufizuese në funksion të veprimeve të vazhdueshme të Federatës Ruse që destabilizojnë situatën në Ukrainë, deri më 31 korrik të vitit 2024. Këto sanksione, të vendosura për herë të parë në vitin 2014 si përgjigje ndaj veprimeve të Rusisë që destabilizojnë situatën në Ukrainë, u zgjeruan ndjeshëm që nga shkurti i vitit 2022 si përgjigje ndaj agresionit ushtarak të paprovokuar, të pajustifikuar dhe të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në dokument.
“Përderisa veprimet e paligjshme të Federatës Ruse vazhdojnë të shkelin ndalimin e përdorimit të forcës, që është një shkelje serioze e detyrimeve sipas ligjit ndërkombëtar, është e përshtatshme të mbahen në fuqi të gjitha masat e vendosura nga BE-ja dhe të merren masa shtesë, nëse është e nevojshme”, thuhet në dokument.
Siç është raportuar, më 31 korrik të vitit 2014, Këshilli i BE-së miratoi Vendimin 2014/512/CFSP në lidhje me masat kufizuese në funksion të veprimeve të Rusisë që destabilizojnë situatën në Ukrainë.