Kërkuan 400 euro për vendosjen e njësorit elektrik, arrestohen në flagrancë
Siguri
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Kërkuan 400 euro për vendosjen e njësorit elektrik, arrestohen në flagrancë
Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve B.B. dhe E.K., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe mbajtjes së seancës dëgjimore, ku gjyqtari i procedurës paraprake, Dardan Maloku, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për veprën penale.
Sipas gjykatës, më 25 shkurt 2026 në Ferizaj, në kuadër të KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K., si ushtrues detyre i koordinatorit për lidhje të reja, dyshohet se i kanë kërkuar 400 euro të dëmtuarit A.H.
Sipas dyshimeve, ata i kanë premtuar vendosjen e njësorit elektrik brenda një jave në lokalin e tij, ndërsa në të kundërtën i është thënë se do të duhej të priste pesë deri në gjashtë muaj. Po ashtu, dyshohet se shuma e kërkuar do të ndahej ndërmjet katër personave.
Pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të dyshuarit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës.
Gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorit për paraburgim, duke caktuar masën prej një muaji ndaj të pandehurve. Palët janë njoftuar se ankesa ndaj këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.