Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist gjatë aksionit të mbajtur sot para Këshillit Prokurorial, kërkuan nga Këshilli Prokurorial të shkarkojë prokurorin Ruhan Salihu dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, duke i cilësuar fajtorë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.
Anita Mjeku, aktiviste ka thënë se do të vazhdojnë të protestojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, derisa ka shpallur Prokurorinë dhe KPK-në si zona krimi.
Sipas saj Prokuroria Themelore në Prishtinë është bashkëfajtore në përdhunimin e të miturës 11 vjeçare në gusht të 2022. Ajo tha se në qershor të po këtij viti e mitura kishte raportuar përdhunimin nga 6 burra, rast ky i cili kishte kaluar në duart e Ruhan Salihut.
Ndërsa është shprehur e shqetësuar për faktin që Ruhan Salihu është ende prokuror. Mjeku tha se Ruhan Salihu është i njohur si Prokuror i cili neglizhon rastet, derisa përmendi edhe një rast tjetër të fëmijës 11-vjecar që kishte përfunduar me vrasje, si pasojë e neglizhimit të institucioneve.
Më tej, aktivistja nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha se nuk mund të presin edhe një lëshim tjetër të kësaj Prokurorie. Ajo tha se në rastin e dhunimit të 11-vjecares duhet dhënë llogari kryeprokurori i prokurorisë Themelore në Prishtine, Kujtim Munishi.
“Dështimi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë për ta trajtuar drejt rastin e së miturës dhe kapjen e kriminelëve, për ne e vë në pikëpyetje të gjithë ekzistencën dhe besueshmërinë e këtij institucioni. Trajtimi i rastit të 11 vjeçares duhet t'i hiqet nga kompetenca Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe t'i kalohet Prokurorisë Speciale, pasi që ajo ka dështuar ta kryej punën e vet e që qoi në përdhunimin e dytë të së miturës. Ne nuk mund të presim edhe një lëshim tjetër të kësaj Prokurorie, për ta ilustruar dhe më tej mos trajtimin e duhur të krimeve seksuale. Këtu duhet dhënë llogari kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi. Ky i fundit është gjithashtu përgjegjës për lëshimet e një pas njëshme të prokurorëve dhe rrezikimin e mëtejshëm të jetës së vajzave dhe grave”, tha ajo.
Kujtojmë se para dy jave është mbajtur protestë masive në Prishtinë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares./E.Krasniqi/