Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj videos ku shihet një infermiere duke ushtruar dhunë ndaj një të moshuarve në një Shtëpi të Pleqve në Pejës. Sipas tij, veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje,
“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë. Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje. Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”, ka shkruar ministry Sveçla.
“Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) me shqetësim ka marrë videon e publikuar në mediat sociale, ku shihet një e moshuar duke u keqtrajtuar në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë. Bazuar në pamjet e publikuara, shihet qartë përdorimi i dhunës dhe poshtërimi ndaj një të moshuare në ambientet e një Shtëpie për të Moshuar. Sipas pamjeve të publikuara, veprimet e punonjësve të këtij institucioni përveç veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, kanë elemente edhe të veprës penale të “Torturës”. Përdorimi i Torturës apo çfarëdo forme të keqtrajtimit është i sanksionuar sipas legjislacionit në Kosovë, ashtu siç është e definuar me Konventën Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe me Konventën kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese, të cilat janë të zbatueshme në Kosovë”, thuhet në reagim.
QKRMT u bën thirrje autoriteteve publike qa sa më parë ta trajtojnë këtë rast dhe të ndëshkohen personat e përfshirë. Gjithashtu, QKRMT u bën thirrje institucioneve qeveritare për mbikëqyrje efektive të trajtimit të personave të vendosur në institucione të veçanta siç janë shtëpitë e të moshuarve. QKRMT do të monitorojë veprimet institucionale ndaj këtij rasti.
“Përmes një videoje të shpërndarë sot në media shihet se disa nga infermieret e punësuara në këtë qendër përkujdesjeje dhunojnë dhe malltretojnë një grua në moshë. Pëveç kësaj, infermieret e tjera në asnjë moment nuk ndërhyjnë por mbështesin kolegen e tyre duke xhiruar dhe qeshur. RrGK përmes këtij reagimi kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që t’u hiqet licenca të gjitha infermiereve të përfshira. Gjithashtu, RrGK kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të largojë licencën e operimit të qendrës “Orenda”, pasiqë shihet se sipas rastit të fundit, në këtë qendër ndodhë keqtrajtimi me persona të moshuar. Përveç kësaj, RrGK fton Policinë e Kosovës që të veprojnë me përgjegjësi të plotë duke arrestuar të gjitha infermieret e pranishme dhe fton të gjitha organet e tjera të drejtësisë që të hetojnë rastin me përgjegjësi të plotë dhe që infermieret të cilat ushtrojnë dhunë të marrin dënimin meritor”, thuhet mes tjerash në reagimin e RrGK-së.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës neni 184 “Kur vepra penale kryhet ndaj viktimës së ndjeshme [...] kryesi dënohet me: burgim deri në tre (3) vjet për veprën penale ose burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet”. Përveç kësaj, KPK neni 195, “Personi zyrtar i cili duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij e keqtrajton, frikëson ose fyen rëndë dinjitetin e personit tjetër, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet burgim”.
Gjithashtu, RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti dhe mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850.