Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se furnizimi me energjinë elektrike në të gjithë vendin është stabil, pavarësisht shpërthimit të djeshëm në kanalin e Ibër-Lepencit nga i cili ftohen Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin se, pas marrjes së njoftimit për sulmin terrorist në kanalin e Iber Lepencit, nga ku furnizohet Termocentrali (TC) Kosova B, janë ndërmarrë veprimet e mëposhtme: KEK, Ministria e Ekonomisë (ME), dhe Njësita për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) janë takuar për të analizuar situatën e furnizimit me ujë për operimin e termocentralit dhe për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
“Po vazhdon koordinimi i ngushtë me zyrtarët e Iber Lepencit për mbarëvajtjen e sanimeve dhe riparimeve. KRU Prishtina kanë njoftuar se kapacitetet e destinuara nga ky kanal për Mitrovicën dhe Prishtinën mund të sigurohen nga burime të tjera, duke na siguruar që kapaciteti prej Iber Lepenci do të shfrytëzohet vetëm nga KEK. ber Lepenci ka vendosur gjashtë gypa (me diameter 900mm) që mund të furnizojnë sasinë e nevojshme për funksionimin normal të dy njësive të TC Kosova B”, thuhet në njoftim.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton gjithashtu se, përkundër situatës emergjente të krijuar nga sulmi terrorist në kanalin e Iber Lepencit, operimi i termocentraleve vazhdon normalisht dhe menaxhimi i furnizimit me energji elektrike është stabil dhe i qëndrueshëm.Në fund thuhet se KEK dhe Ministria e Ekonomisë po mbajnë komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e tjera institucionale dhe sigurojnë mbështetje të plotë dhe koordinim të shpejtë në çdo fazë të këtij procesi.