KDI: Skenderaj e Deçani nuk kanë organizuar dëgjime buxhetore për projektbuxhetin 2023
Lexohet për: 4 min.
KDI
2 vite më parë
Linku u kopjua

Komunat më të përkushtuara për zbatimin e standardeve  për organizimin e dëgjimeve buxhetore janë Prizreni, Rahoveci dhe Kamenica, derisa Skenderaj dhe Deçani nuk kanë organizuar fare dëgjime buxhetore.

Kështu u tha gjatë publikimit të raportit për praktikat e organizmit të dëgjimeve buxhetore në vitin 2022 për nëntë komuna të Kosovës, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në partneritet me konsorciumin e organizatave jo qeveritare “Aleanca Qytetare për Transparencë”.

Përfaqësuesja e Aleancës Qytetare për Transparencë, Gentiana Zeqiri ka thënë se përkundër që ekzekutivi i komunës është i obliguar të mbajë dëgjime buxhetore për hartimin e projektbuxhetit komunal, Skenderaj dhe Deçani nuk kanë organizuar dëgjime buxhetore për projektbuxhetin e komunës për vitin 2023.

Ajo tha se shqetësuese mbetet fakti i mos angazhimit të disa kuvendeve të komunave, siç është Prishtina, Kamenica e Skenderaj, për të organizuar së paku një dëgjimi buxhetor gjatë muajit shtator 2022

“Përkundër që ekzekutivi i komunës është i obliguar të mbajë dëgjime buxhetore për hartimin e projektbuxhetit komunal, komuna e Skenderajt dhe ajo e Deçanit nuk kanë organizuar dëgjime buxhetore për projektbuxhetin e komunës për vitin 2023. Me numrin e dëgjimeve buxhetore të organizuara prin komuna e Kamenicës me 20 takime, ndërsa komuna e Rahovecit me vetëm 4. Shqetësues mbetet fakti i mos angazhimit i disa kuvendeve të komunave, siç është ajo e Prishtinës, Kamenicës dhe Skenderajt për të organizuar së paku një dëgjim buxhetor gjatë muajit shtator 2022, për t’u përfshirë në planifikimin e politikave buxhetore të komunës”, theksoi Zeqiri.

Edhe Vjollca Selimi-Gurhule Aleancës Qytetare për Transparencë(AQT) vazhdoi me të gjeturat tjera, ku tha se ndonëse organizimi i dëgjimeve publike është shumë i rëndësishëm për të siguruar pjesëmarrjen qytetare në vendim-marrje, po aq i rëndësishëm mbetet publikimi i raporteve nga organizimi i dëgjimeve buxhetore, përkatësisht publikimi i propozimeve të ofruara nga qytetarët dhe publikimi i sqarimeve apo arsyeve të refuzimit të kërkesave të tyre.

Ajo tha se në këtë mes, komuna e Prizrenit, Rahovecit dhe Kamenicës kanë respektuar më përpikëri kornizën ligjore duke përpiluar dhe publikuar raportin e tillë në ueb faqet zyrtare në kohë derisa komuna e Ferizajt dhe Kaçanikut kanë përpiluar raportin e tillë por kanë pasur vonesa në publikimin e raportit të tillë në ueb faqet e tyre zyrtare.

“Dëgjimet buxhetore janë të rëndësishme, janë të parashikuara me ligj dhe po ashtu kërkesat e qytetarëve për çdo komunë kanë rëndësi dhe peshën e vetë. E në anën tjetër refuzimi i kërkesave të tyre do të duhej të sqarohej. Në këtë mes komuna e Prizrenit, Rahovecit dhe Kamenicës kanë respektuar në përpikëri kornizën ligjore duke përpiluar kështu edhe raportin e tillë në ueb faqet zyrtare”, tha ajo.

Dy komunat tjera, përkatësisht ajo e Mitrovicës së Jugut dhe Deçanit, përkundër përpilimit dhe publikimit të raporteve nga dëgjimet buxhetore, nuk kanë respektuar udhëzimet ligjore në përmbajtjen e raportit të tillë lidhur me arsyeshmërinë e pranimit apo refuzimit të kërkesave të të dala nga organizimi i dëgjimeve buxhetore.

KDI dhe Aleanca Qytetare për Transparencë kanë përcjellë proceset e dëgjimeve buxhetore në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Skenderaj, Deçan, Kaçanik, Kamenicë dhe Rahovec dhe kanë nxjerrë të dhëna lidhur me numrin e dëgjimeve buxhetore të organizuara, numrin e pjesëmarrësve në këto dëgjime, duke përfshirë edhe numrin e grave, natyrën e kërkesave të qytetarëve, formën se si janë përfshirë Kuvendet e komunave në këto organizime, mënyrën e dokumentimit dhe publikimit të detajeve apo raporteve nga këto dëgjime dhe qasjen që komunat kanë ndjekë për t’i përfshirë grupet e cenueshme në planifikimin e buxhetit komunal.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025