KDI: Ligji i ri i Punës të rikthehet në agjendën legjislative
Lexohet për: 3 min.
KDI
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar analizën “Ligji i ri i Punës: në mes të nevojës dhe kërkesave për ndryshim”.

KDI sipas këtij njoftimi po synon të rikthejë në diskursin publik debatin për inicimin e një ligji të ri të punës, i cili e ka bazën në nevojat dhe kërkesat e punëtorëve, organizatave sindikale e OJQ, në përputhje me standardet dhe praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, e që garanton mbrojtje më të mirë për punonjësit në Kosovë.

“Ligji aktual i Punës paraqet një ndër ligjet më vitale në vend duke qenë se rregullon punësimin e mbi 370,000 punonjësve në sektorin publik e atë privat. Ndryshimi i këtij ligji ka qenë premtim i çdo qeverie që nga viti 2012, ndërkohë që drafte të ndryshme kanë arritur të bëhen edhe pjesë e agjendave legjislative. Sidoqoftë, këtë vit, qeveria aktuale ka vendosur t’a tërheq këtë ligj nga agjenda legjislative pa ndonjë paralajmërim, përkundër që trendi i shkeljeve të të drejtave të punës vazhdon të jetë në rritje”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Albesa Humolli nga KDI ka deklaruar se ligji aktual i punës nuk ofron mbrojtje dhe siguri të mjaftueshme për punonjësit, duke i lënë ata të cenueshëm ndaj shfrytëzimit, diskriminimit dhe kushteve të pasigurta të punës.

“Kohëzgjatja dhe mungesa e kufizimeve sa i përket kontratave për kohë të pacaktuar, rregullimi i pushimit të lehonisë, mungesa e pushimit prindëror, mungesa e kufizimeve sa i përket orëve shtesë të punës, mungesa e kufizimeve sa i përket formalizimit të marrëdhënies së punës, çështja e rregullimi të punës me orar jo të plotë, çështja e së drejtës në pushim për punonjësit apo çështjet e tjera si rregullimi i punësimit në kohët moderne si puna hibride, puna nga shtëpia, apo puna për kompani jashtë vendit konsiderohen të jenë disa nga mangësitë e ligjit aktual të cilat asnjëherë nuk kanë arritur të adresohen”, ka thënë ajo.

Humolli, thekson se mangësitë e një ligjit ‘të stërvjetruar’ të punës po bien në kurrizin e punonjësve në Kosovë, të cilët ende përballen me informalitet, në punësim, mungesë të kushteve për punë, mos pagesë të pushimit vjetor apo mjekësor, pagë jo të rregullt apo orar të tej zgjatur pune pa pagesë.

Sipas Humollit, ndryshimi i ligjit aktual ose iniciimi i një ligji të ri të punës është i nevojshëm marrë parasysh aspiratat e vendit për të ju bashkuar tregut evropian të punës, që nënkupton që ligji duhet të përafrohet me kërkesat që dalin nga 17 direktivat e Bashkimit Evropian që përcaktojnë standardet minimale në fushën e rregullimit të marrëdhënies së punës.

KDI kërkon nga qeveria që të reflektojë në këtë drejtim dhe të fillojë dialogun social më të gjitha palët, në mënyrë që ligji i punës të rikthehet në programin legjislativ për këtë vit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024