Sot janë bërë katër vjet qëkur qytetarët e Kosovës dolën të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), në këtë garë zgjedhore ishin përfshirë 25 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, 4 koalicione dhe një kandidat i pavarur, derisa të drejtë vote kishin 1.937.869 votues të regjistruar në listën zgjedhore.
Në këto zgjedhje fitoi Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, por në pamundësi për të formuar si e vetme qeverinë, ajo u detyrua të bëjë koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës të Isa Mustafës.
Qeveria Kurti nuk zgjati më shumë se 50 ditë, pasi u shkarkua me mocion të mosbesimit, pas përplasjeve të brendshme për shkak të shkarkimit të ministrit të Brendshëm, Agim Veliu në kohë pandemie.
Ndryshe, ato ishin zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare.