Në 28-vjetorin e masakrave në Likoshan dhe Qirez, një dëshmi rrëqethëse vjen nga një prej të mbijetuarve, një baba nga Drenica, të cilit forcat serbe ia vranë katër djemtë në oborrin e shtëpisë.
Shermet Sejdiu me zërin që i dridhet nga dhimbja kujton ditën kur bota e tij u përmbys, një tragjedi që la gjurmë të pashlyeshme edhe në historinë e Kosovës.
“Kur filluan ngjarjet në Likushan dhe Qirez, atë ditë sikur sot që më keni ardhur... Nesër bëhen 28 vjet që janë vrarë djemtë këtu. Unë kam shkuar në Prishtinë me ndejt, e kam pasur motrën të gjallë atje, kam ndejt atë natë, kemi ardhur diku te Kroni i Mbretit, kam ni që Prekazi e Llausha po luftojnë, kam ardhe në Drenas në këmbë. E pashë nuk ka këndej asgjë, ishte një grup me njerëz, fola me ta, e çuan një djalë tha Prekazi dhe Qirezi, tha na jemi prej Prekazit,edhe djemtë e tjerë i ka thënë, që po luftojnë. Kam ardhur, kam ndejt në një mal, Kamenicë thirret...Aty kanë gjuajtur dy helikoptera, sa kanë mujt tëra shtëpitë, përveç një e jeme se nuk dukej prej atje...
“ Kam ndejt atë natë atje gjithë natën në mal, jemi sjellë përreth, kam parë se ku janë ...Vëllain e Xhemshitit e takova e më tha është vrarë Xhemshiri, Rukia, edhe babën e kanë plagosur... Në ora 3:00 filluan të ikin forcat... Kam ardhur te shtëpia, këtu kanë qenë nja 10.000 veta duke shikuar,kur erdha këtu, robtë i kisha pasur te një kushëri. Doli gruaja, tha mbetem pa djemë. Thashë çka të ketë thënë Zoti. Thashë kadalë të bëhemi të forte, Zoti si ka thënë . Edhe... thashë, ‘ti rri këtu, po shkoj te shtëpia’ . Prej atje i pashë dy të vrarë. Dy djemtë të vdekur...Dy i kishin futur brenda, këtu kur del një kushëri, tha, pasha Zotin , shko shihi.Thashë, dy po i shoh të vrarë aty.Kur erdha, katër të vrarë. Nuk është lehtë, është rëndë. Na kanë zënë si në gjumë, papritmas”, tha Sejdiu.
“... Për mbi, 100 vetë kanë qenë në oborr... Djali i vogël, Bekimi, ka thënë, "Nuk ka djalë nane që hyn."... Ata si kanë hy, me dyer, me dritare, më kanë bërë kërrsh, kanë gjuajtur, kanë sulmuar. Tash janë hy brenda. E kanë qitur jashtë. Beqiri i madhi ka qenë, i ka thënë, "Shtrihu për tokë." Qaty me Bekimin. Bekimi nuk ishte dorëzuar njëherë. E kanë rrahur dhe më pas gruaja, u afrua, i ka thënë, "Zot, ju vraftë a rrehet ky fëmijë, pa ju vrarë Zoti mos e lashtë”. E kanë rrahur edhe gruan....Nazmia e Bekimi janë vrarë në oborr... Këtu më kanë vetë sa plumba, nuk e di as atëherë as sot... Veç të katërtit këtu i kam pasur të vranë. Janë ata dy të tjerët këtu. Nuk ka qenë lehtë, rëndë. Po nuk gjeta rrugë tjetër. Iu kam mbështet, Zotit, thashë, "Të i ruaj këta rob që më kanë mbetur, mos të dëmtohen më shumë "
Më 28 shkurt 1998, forcat serbe vranë 24 banorë të Likoshanit dhe Qirezit.
Ishte ndër masakrat që tronditi botën. Në një raport për të drejtat e njeriut ''Human Rights Watch'' (HRW) kjo masakër përmendet si ngjarje që shënoi fillimin e pjesës më dramatike të luftës së Kosovës.