Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati vlerëson se Qeveria e Kosovës ka reaguar me vonesë në lidhje me agresionin rus në Ukrainë e cila mund të reflektojë edhe në Kosovë.
Ish-komandanti në një intervistë për KosovaPress, thotë se kryeministri Kosovës, Albin Kurti vetëm para disa ditësh ka mbledhur Këshillin e Sigurisë së Kosovës, e siç thotë ai kjo do të duhej të ndodhte më herët.
“Unë mendoj që kanë reaguar me vonesë për arsye që deri para dy ditësh kryeministri e ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ne e dimë që mbi një muaj Rusia ka grumbulluar mbi 160 mijë ushtarë, pajisjet, armatimet rreth Ukrainës dhe është parë që më tepër se një muaj se Rusia dëshiron dhe ka për qëllim ta okupojë Ukrainën dhe është dashur që Qeveria e Republikës së Kosovës të mbledhë më herët Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe t’i analizojë situatën dhe të merr masat adekuate për të marrë të gjitha veprimet e nevojshme në rast se lidhet apo në rast që reflektohet ajo krizë dhe lufta që ka filluar atje dhe që reflekton në Kosovë që të ketë një plan paraprak, çka duhet të veprojë dhe i duhet të veprojë në lidhje me situatën”, tha ai.
Kastrati bën thirrje që institucionet e Kosovë duhet të jenë në koordinim me KFRO-in, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me partnerët e saj strategjik.
Ish-komandanti i FSK-së flet edhe për situatën e krijuar në Ukrainë, e cila sipas tij, mund të ndikojë në veri të Kosovës duke ditur qëllimin territorial të Serbisë.
“(Situata e Ukrainës) Ka rrezik që mund të ndikojë posaçërisht në veri të Kosovës. Unë e kam thënë edhe më herët që Serbia ka qëllime territoriale ndaj Kosovës është shumë e interesuar që të ketë, të bllokojë veriun e Kosovës dhe për atë arsye mendoj që KFOR-i, Policia e Kosovës por edhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të duhet që të jenë shumë vigjilente, të koordinuara mirë dhe të bashkërenduara që të rendisin prezencën e tyre në veri rreth kufijve, të kontrollohet çdogjë, kush hyn dhe kush del dhe ta kenë situatën nën kontroll dhe të mos vjen deri aty që ne të befasohemi nga ndonjë veprim i ekstremistëve apo shërbimeve sekrete serbe apo ruse në veri të Kosovës”, potencon ai
“Nga këndi im sa unë e kam përcjell Forcën e Sigurisë së Kosovës... nuk është e përgatitur që vetë t’i dalë balë ndonjë agresioni të mundshëm të Serbisë, mirëpo nëse kërkohet ndonjë gjë e tillë që të jetë në bashkëveprim dhe bashkërendim me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in. Normal që Forca e Sigurisë së Kosovës misionin e tij e ka detyrat që lidhen me mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, me mbrojtjen e kufijve, mbrojtjen e qytetarëve, pasurisë së tyre dhe nëse kërkohet normal që ka edhe për mision të merr pjesë edhe nëpër operacione edhe jashtë Republikës së Kosovës. FSK nuk është total e përgatitur që në mënyrë vetanake t’i dal përballë këtyre sfidave, por unë po them edhe njëherë që me KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, është e gatshme të ndihmojë faktorin ushtarak ndërkombëtarë që është prezentë në Kosovë”, tha ai
Ai për KosovaPress komenton edhe deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku tha se ushtria e Kosovës do të jetë në NATO vetëm për gjashtë muaj, duke i quajtur ato deklarata qesharake.
Ndër të tjerash, Kastrati shpreh edhe dëshirën e tij që Kosova sa më shpejtë të jetë anëtare e NATO-s, pasi që vetëm atëherë Kosova do të jetë plotësisht e sigurtë.