Kapja e spiunëve të BIA, Dogana del me sqarim
Lexohet për: 2 min.
Dogana (1)
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Dogana e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të dy personave sot në Ferizaj nën dyshimin për spiunim për BIA-n serbe, duke thënë se personi Bedri Shabani është pushuar nga pozita e tij në doganë 20 vjet më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.

Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Qe nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës, thuhet në sqarim.

Dogana e Kosovës përgëzon autoritetet e Kosovës për zbatimin e ligjit për përpjekjet e tyre në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë.

“Ne punojmë ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të mbështetur sigurinë kombëtare, në përputhje me misionin tonë. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës në radhët tona”, përfundon komunikata për media.

Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale spiunimi.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë personat e arrestuar sot nën dyshimin për spiunim për agjencinë e inteligjencës serbe BIA.

KosovaPress mëson se arrestimi i tyre është bërë i mundur pas zbulimit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

Prokuroria ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Policia ka vazhduar me bastisjen e pronave të dy të dyshuarve, të cilët dyshohet se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.

Njëri prej të arrestuarve, Bedri Shabani, ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025