Kampi Nacional në Hajvali për herë të parë ka hapur sot dyert për akomodimin e plotë të ekipeve kombëtare të Kosovës.
Kombëtarja U17 e Kosovës në kategorinë e femrave filluar përgatitjet sot në këtë kamp, për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2023, të cilat zhvillohen në muajin mars në Francë, raporton KosovaPress.
Të kënaqura me kushtet që ofron Kampi Nacional u shprehën edhe futbollistet e reja kosovare, ku Sahare Berisha dhe Albina Gegaj e vlerësuan faktin që të gjitha aktivitetet zhvillohen në një vend pa pasur nevojë të humbin kohë për të bërë rrugë në ndonjë vend tjetër.
Edhe trajnerja e kombëtares së kësaj grupmoshe, Sanije Krasniqi u shpreh e lumtur për krijimin e këtyre kushteve në kamp, e të cilat u kursejnë kohë dhe ndikojnë në përgatitje sa më të mirë.
Kujtojmë që Kosova U17 vitin e kaluar ka kaluar nga Liga B në Ligën A, duke shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në rrugëtimin drejt Euro 2023.