Kamberi: Serbia shton presionin ndaj shqiptarëve para protestës të së hënës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi ka bërë të ditur se autoritetet serbe kanë shtuar presionin ndaj popullatës shqiptare para mbajtjes së protestës "Për Identitet e Dinjitet," e paralajmëruar për ditën e hënë nga ora 11:00, në sheshin e Bujanovcit.

Ai ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës po përballen me një valë të re presioni nga policia dhe organet ligjzbatuese në Bujanoc e Vranjë.

“Siç bëhet e ditur, një qytetar është arrestuar për shkak të një komenti lidhur me protestën e paralajmëruar, në profilin e Facebook-ut të portalit lokal “Bujanovaçke” për vepër penale “nxitje të urrejtjes ndërnacionale” dhe rasti i është dorëzuar prokurorisë në Vranjë”, ka shkruar Kamberi.

Kamberi ka theksuar se në Serbi për çdo ditë në profilet e çdo mediumi hasen qindra komente antishqiptare dhe albanofobia është bërë përditshmëri.

“Kur në këtë fushatë të shprehjes së urrejtjes antishqiptare marrin pjesë edhe zyrtarë më të lartë shtetërorë siç ishte Aleksandar Vulin (dhe rasti i tij në Gjykatën e lartë në Beograd, e cila e liroi nga përgjegjësia nga padia e Këshillit kombëtar shqiptar për “nxitje të urrejtjes antishqiptare”, vendim ky që e legalizoi termin ofendues “shiptari”) arrestimi i një qytetari të zakonshëm, pak ditë para mbajtjes së protestës popullore në Bujanoc, nuk paraqet tjetër veç tentativë për frikësim të atyre që po organizojnë dhe atyre që donë të marrin pjesë në këtë protestë”, ka theksuar Kamberi.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se disa qytetarë shqiptarë janë marrë në “biseda informative për xhihadizëm”, dhe se me këtë Serbia po tenton të tërheqë vëmendjen e opinionit nga protesta legale e legjitime e paralajmëruar për realizimin e të drejtave fundamentale të shqiptarëve.

“Kjo është një përpjekje e hapur për të frenuar reagimin popullor dhe për të heshtur zërin e shqiptarëve. Për të shpërqendruar vëmendjen dhe për të demonizuar edhe protestën edhe kërkesat tona legjitime, të cilat, Serbia i ka pranuar formalisht me nënshkrimin e tre marrëveshjeve me përfaqësuesit shqiptarë (2001, 2009 dhe 2013). Pavarësisht këtyre tentativave për frikësim, ne do të jemi të vendosur dhe të palëkundur në përpjekjet tona për të drejta, për barazi e për liri. Kërkesa për vlerat demokratike, të drejtat tona, lirinë e shprehjes dhe dinjiteti ynë nuk mund të heshtën me fushata frikësimi”, ka përfunduar ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024