Kam një pyetje, vetëm një!?
Lexohet për: 5 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

(gabimet e paqëllimshme  janë njerëzore, gabimet e qëllimshme  janë djallëzore!)

Po vjen 5 marsi, 24 vite nga rënia heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Qeverisë aktuale dhe të gjitha qeverive paraprake të Republikës së Kosovës, në vazhdim; VV-ës, PDK-ës, LDK-ës, AAK-ës, NISMA-ës, PSDK-ës, PSHDK-ës dhe subjekteve tjera politike, që ishin në bashkë qeverisje përgjatë këtyre viteve...

Mënyrë e pa nevojshme e komunikimit kjo, që shqetëson qytetarin e mirëfilltë në ditët e sotme, përballja me këtë dukuri të shëmtuar që do një shpjegim së cilës deri më sot as kush nuk i dha një përgjigje të saktë, në mos qëllimisht i bënë bisht kësaj çështjeje?!

Kush s’më thotë nga të gjitha subjektet politike të lartshënuara që ishin në bashkë qeverisje, edhe nga kjo aktuale të cilat i kanë hipur pushtetit përmbi, e kam vetë një pyetje- vetëm një:

Përse, për çfarë arsyeje, mbi bazën e cilit argument deri me sot, nuk kemi as edhe një shtatore të Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prishtinë- Prishtina kryeqytet i Republikës së Kosovës, ku gravitojnë shumë nga përfaqësuesit e huaj diplomatik e dhjetëra figura tjera shtetërore nga e mbarë bota e madhe! Ne edhe ata, në Prishtinë hasim madje edhe shtatore, obelisk dhe simbole tjera të ish pushtuesit serbo-jugosllav, siç është edhe kunji trekëmbësh mbrapa Kuvendit të Kosovës. Simboli ky i pushtuesit dhe nomenklaturës komuniste serbo-jugosllave e nga ana tjetër, nuk hasim as gjëkundi shtatoren e Komandanti Legjendar Adem Jasharit-Adamit të shqiptarëve. Madje (nëse nuk gabohem), as edhe një rrugë në Prishtinë deri me sot, nuk mbanë emrin e Komandantit Legjendar!...

Në të gjitha shtetet e botës ku mbretëron ligji, guximi dhe vetëdija (fatkeqësisht tek ne, mungojnë që të tria), simbolet e ish diktatorëve, janë zhdukur me kohë, si në Rusi, shtatorja e Stalinti, në Rumani ajo e Qausheskut, në Gjermani ajo e Hitlerit, në Poloni e gjetiu...
Por në Kosovë jo, ende jo, mu në mes të Prishtinës, dhe atë mbrapa Kuvendit të Kosovës, ngrehë kokën lart, një kunj me tre brirë përpjetë- obelisk ky, që simbolizonte ish diktaturën moniste serbo-jugosllave, dhe platformën e saj të ish “Vëllazërim-bashkimit”,  e që pikërisht mbi këtë platformë ish pushtuesi serbo-jugosllav, ekzekutoi, dhunoi, dëboi, masakroi deri në përmasa gjenocidi mbi një milion shqiptarë!

Tani kur kanë kaluar mbi dy decenia pas luftës sonë çlirimtare, kush s’me thotë nga të gjitha ish subjektet politike bashkë-qeverisëse edhe nga kjo aktuale se:

A keni një shpjegim për shqiptarët, për luftëtarët e Kosovës, për invalidët e luftës, për familjarët e dëshmorëve të kombit, për fëmijët e tyre, dhe për vet Familjen Jashari:

PËRSE, PËRSE, PËRSE... deri me sot, nuk u vendos shtatorja e Komandantit Legjendar në kryeqytetin e Republikë së Kosovës, pra në Prishtinë!?

Të paktën një sqarim para qytetarëve shqiptarë nëse; nuk keni pasur guximin, ani pse Komandanti kishte guximin e flijimit hyjnor, apo nëse nuk ju ka interesuar fare, nëse “nuk keni pasur mjete”, nëse nuk ju kanë “lejuar të huajt”, nëse nuk ju ka lejuar Beogradi, apo nëse nuk ju ka lënë babëzia!... Ëëëë pra, ky popull dhe familja Jashari e do një sqarim, nëse ka burra te politikës që sot e thonë të vërtetën- ndryshe tregoni së Komandanti Legjendar Adem Jashari është i papranueshëm (non grata), në Prishtinë!

Në mos shtatorja e Komandantit, qeveritarëve dhe pushtetarëve iu duhet vetëm deri sa t’i marrin votat, dhe kur janë përvjetorët e lavdishëm, sa për të u dukur atje!

Dhe për të u kthyer tek prologu i këtij shkrimi:

Jam në kërkim të një sqarimi; kjo është më shumë së një shkarje e shëmtuar dhe e pafalshme përgjatë këtyre dy decenieve. Nuk e di, nëse është e domosdoshme që të shumëfishohet kjo si kërkesë popullore dhe e familjes Jashari, në vazhdim si kërkesë e dijetarëve dhe luftëtarëve tanë më në zë, që t’ju kujtojnë juve së përjashtimi i Komandantit Legjendar nga Prishtina, nuk i bënë nder as ish dhe as Qeverisë aktuale e aq më pak atdheut.

Kjo çështje nuk pret dhe nuk mbanë më, kjo nuk duhet shikuar si një çështje thjeshtë formale ose teknike që pret. Jo, përkundrazi, kjo zvarritje duhet parë si fenomen tejet negativ që dëmton imazhin tonë kombëtarë e çlirimtarë, në përpjekje të pareshtura për të bërë shtetin tonë të lirë që krenohet me çlirimtarët e vet. Kisha vetëm këtë pyetje, dhe pres vetëm një përgjigje- ndryshe janë shumë ditët që deri me 5 mars, të vihet gurë themeli i simbolit të lirisë së Republikës së Kosovës- Komandantit Legjendar Adem Jasharit, mu në qendër të Prishtinës, aty pra, mbrapa Kuvendit të Kosovës, shesh ky i cili edhe duhet të mbajë emrin e Komandantit Legjendar- Atit të lirisë sonë!

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024