Ndonëse ka përfunduar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çështjes së dinarit, ku sipas Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, valuta e vetme për të kryer shërbime për shit-blerje është euro, ndonëse kjo nuk po zbatohet nga disa biznese në komunën e Graçanicës.
KosovaPress ka vizituar këtë komunë, në të cilën shkëmbimet tregtare ne disa biznese vazhdojnë të bëhen me dinar, megjithatë disa të tjera nga sot e kanë ndalur së përdoruri këtë valutë pas përfundimit të periudhës transitore të Rregullores së BQK-së.
"Për ne si me euro si me dinar, më mirë me dinar se në markete me dinar. (Sot) Me dinar kam blerë", tha ajo.
Ndërkaq, disa biznese tjera në këtë komunë, janë duke e respektuar vendimin e BQK-së, në këtë mënyrë shit-blerjet e mallrave po bëhen vetëm me euro.
Kjo rregullore ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, por BQK kishte vendos një fazë tranzitore, që mundësonte lehtësim për zbatimin e këtij vendimi.
Në kuadër të kësaj periudhe, nuk janë shqiptuar masa ndëshkuese, por janë ofruar informacione për qytetarët rreth zbatimit të rregullores për pagesa me para të gatshme. Ndërsa, bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të hënën se më 15 maj Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e radhës për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Ky do të jetë takimi i shtatë me radhë në nivel të kryenegociatorëve kushtuar kësaj teme, teksa në gjashtë takimet e mëhershme kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, nuk kanë arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi./E. Krasniqi