Dikur i quajtur “Koreja e Veriut e Evropës”, ky vend tani është shndërruar në një destinacion mahnitës mesdhetar – i mbushur me plazhe të bukura, histori të lashtë dhe kulturë të gjallë, shkruan Schannell Kanyora në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.
Shqipëria, kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të huaj – si një nga destinacionet më premtuese turistike në Evropë.
Sot, Shqipëria ofron një ndërthurje mahnitëse e plazheve të pacenuara, maleve dramatike dhe një trashëgimie të pasur kulturore – duke e bërë atë destinacionin ideal për këdo që kërkon aventura në një vend ende të paprekur nga turizmi masiv.
Pavarësisht nëse jeni duke eksploruar qytetet e saj të lashta, duke pushuar në plazhet e saj të pacënuara ose duke ecur nëpër malet e saj madhështore, Shqipëria ofron gjithçka për çdo lloj turisti.Transformimi i Shqipërisë i ka rrënjët në historinë e saj të trazuar.
Për pjesën më të madhe të shekullit XX, vendi ishte nën sundimin tiranik të Enver Hoxhës, një diktator komunist që udhëhoqi vendin nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij në 1985.
Politikat totalitare të Hoxhës mbytën lirinë e fjalës, ndaluan udhëtimet jashtë vendit dhe ndëshkuan brutalisht disidencën.
Për shqiptarët, ideja e një jete “normale” jashtë kufizimeve të diktaturës ishte një koncept i paimagjinueshëm.
Redaktorja e BBC-së për Evropën, Katya Adler, udhëtoi në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Shqipëri. Tridhjetë vjet pas luftërave të pavarësisë jugosllave, ajo zbuloi një rajon të bukur që po përjeton një ndryshim të shpejtë.
“Të gjithë kishin frikë në atë kohë”, tha ajo në episodin e parë të dokumentarit “Ballkans: Kufiri i harruar i Evropës”.
“Ekzistonte një ndjesi sikur të gjithë po spiunonin lagjen e tyre, mikun e tyre… çfarëdo që të bënin. Disa u ndoqën penalisht. Nuk mund të kritikoje politikën e shtetit. Nuk mund të largoheshe nga vendi. Nëse e kaloje kufirin, ndëshkoheshe”, tha Adler.
Efektet e kësaj periudhe të gjatë izolimi janë ende të dukshme sot, por përpjekjet e fundit të Shqipërisë për të përqafuar modernitetin kanë filluar të ndryshojnë narrativën.
Vizitorët mund të eksplorojnë qytetin antik të Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ose të shijojnë diellin në plazhet e pacenuara të Rivierës Shqiptare, shpesh të krahasuara nga ekspertët e udhëtimeve me brigjet e famshme të Italisë apo Greqisë.
Afërsia e Shqipërisë me ishujt e njohur grekë si Korfuzi e bën atë një alternativë të arritshme dhe të bukur për destinacionet tradicionale të Mesdheut.
Fshati bregdetar i Dhërmiut, për shembull, po bëhet shpejt një pikë e nxehtë për adhuruesit e plazhit, ndërsa qyteti i Gjirokastrës i listuar në UNESCO ofron një vështrim në të kaluarën osmane të Shqipërisë me shtëpitë e saj të lashta prej guri dhe rrugët me kalldrëm.
Nga rrënojat e lashta greke dhe romake te arkitektura e epokës osmane, trashëgimia kulturore e vendit është sa e larmishme aq edhe magjepsëse.
Kuzhina shqiptare është një tjetër pikë kryesore, duke ofruar një përzierje të shijeve mesdhetare dhe ballkanike, me ushqime deti të freskëta, perime të kultivuara në vend dhe pjata tradicionale si byreku dhe tava e kosit.
Transformimi i Tiranës nga një qytet i epokës komuniste në një metropol të zhvilluar ka qenë mbresëlënës – dhe tani ajo shërben si një qendër kulturore dhe ekonomike për vendin.
Vitet e fundit, Shqipëria është bërë një destinacion gjithnjë e më i popullarizuar për turistët që kërkojnë një alternativë të përballueshme evropiane.
Me koston e saj relativisht të ulët të jetesës, Shqipëria u ofron vizitorëve një mundësi për të shijuar pushimet mesdhetare pa shtrënguar buxhetin e tyre.
Si rezultat, Shqipëria po shndërrohet shpejt si një nga destinacionet më emocionuese të Evropës.
Shqipëria moderne qëndron në kontrast të plotë me të kaluarën e vendit. Ai që dikur ishte një komb i mbyllur, tani është një nga vendet më dinamike të udhëtimit në Evropë.