Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka thënë të enjten se është duke dëgjuar kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo paralajmëroi se do ta shqyrtojë mundësinë, së bashku me të dërguarin e ri për dialogun, Peter Sorensen, për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.
“Unë vërtet dua të shikoj se si mund ta bëjmë këtë funksional. E kam adresuar këtë edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë. Dhe, ai më ka thënë se është i gatshëm vërtet të investojnë kohë në normalizimin”, tha Kallas shkruan REL.
Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku, i cili i ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.
Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia.
Kallas tha se po pret derisa Kosova të formojë qeveri të re, për të “parë se si të vazhdojmë tutje”.
Emërimi i Sorensenit është parë si pozitiv, duke qenë se 57-vjeçari e njeh rajonin. Diplomat prej shumë vitesh, ai ishte angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Sipas njohësve të politikës, ai nuk ka nevojë që të informohet paraprakisht për njerëzit apo faktet historike të rajonit, sepse tashmë ka pasur mundësinë ta krijojë një pasqyrë nga afër.
Kallas e përsëriti të enjten se normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore është e nevojshme për Kosovën dhe Serbinë për të ecur përpara.
“Nëse ato mendojnë se mund të lëvizin në rrugëtimin evropian pa normalizimin e marrëdhënieve, atëherë unë mendoj se një gjë e tillë nuk është e mundur”, tha ajo.