Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Time Kadrijaj, thotë se riintegrimi i komunitetit serb në institucione në veri, duhet të ndodh vetëm në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Ajo akuzon Serbinë se ka tendencë për destabilizim të Kosovës, mirëpo kritika adreson edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti, që sipas saj, po ndërmerr veprime në veri vetëm për fushatë zgjedhore.
Kadrijaj për KosovaPress, flet për nevojën e riformatimit të dialogut, raportet me aleatët strategjik të Kosovës dhe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas saj, primare për qeverinë duhet të jetë koordinimi me aleatë, pasi çfarëdo veprimi në veri kur kundërshtohet nga aleanca veri-atlantike nuk duhet të konsiderohet si fitore.
Në anën tjetër, Kadrijaj e konsideron të domosdoshme riformatimin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas saj, dialogu duhet të ristrukturohet dhe njohja reciproke të kthehet në qendër të procesit.