Kadri Veseli feston sot ditëlindjen e tij të 59-të. Ai u lind më 31 maj të vitit 1967 në Mitrovicë. Shkollimin fillor e kreu në shkollën “Ismail Qemali” në Bair të Mitrovicës. Dy vite të shkollës së mesme i kreu në Gjimnazin e Orientuar të Mitrovicës, kurse tri vite të tjera në shkollën Ekonomike në Zveçan.
Kadri Veseli është një nga figurat qendrore politike të lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në kapërcyellin kohor mbi njëzetvjeçar. Si njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila me shumë sukses e futi çështjen e Kosovës në agjendat politike të fuqive të mëdha dhe NATO-s më 1998 dhe 1999, ai sot ballafaqohet me disa akuza për gjoja krime lufte.
Aktivitetin atdhetar dhe politik ai e nisi si student më 1988-1989, në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK-më vonë LPK) duke u bërë njëri prej organizatorëve të protestave dhe demonstratave që zhvilloheshin në atë kohë kundër sistemit serb dhe jugosllav që ushtronte dhunë mbi popullin shqiptar dhe dhunonte të drejtat nacionale dhe njerëzore të shqiptarëve.
Në vitin 1981 regjimi komunist jugosllav ia burgosi dy vëllezërit dhe djalin e axhës së tij, për shkak të veprimtarisë së tyre politike. Në vitin 1990, në kohën kur sapo kishte nisur studimet në Prishtinë, bashkë me Hashim Thaçin, bien në kontakt me udhëheqësin e atëhershëm të Ilegales (LPRK-së), Afrim Zhitia, prej të cilit marrin ide dhe premisa rreth organizimit politik për jetësimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.Në Tiranë takohet edhe me Grupin e Prekazit me në krye komandantin Adem Jashari dhe bashkë me të realizojnë aksionet e para të armatosura kundër policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë. Në mars të vitit 1993, bashkë me disa veprimtarë në Odën e Jasharajve në Prekaz, merr pjesë në një mbledhje të thirrur nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, dhe ky takim mund të konsiderohet si dita e themelimit zyrtar të UÇK-së.
Prej vitit 1993 deri më 1998, Kadri Veseli bashkërendon aktivitetet rreth luftës së armatosur që nga Zvicra, Shqipëria, zona e Dukagjinit, Drenica, Pashtriku etj. Pas rënies së Jasharjave në mars të vitit 1998, UÇK-ja fiton një mbështetje të madhe në popull dhe kështu – në fund të pranverës dhe gjatë verës së atij viti – ajo masovizohet gati në të gjitha rajonet e Kosovës. Gjatë kësaj kohe, Kadri Veseli, bashkë me anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, punojnë në strukturimin e njësiteve dhe formacioneve ushtarake nëpër të gjitha zonat operative.
Në fund të viti 2012, Kadri Veseli anëtarësohet në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke iu nënshtruar procedurave demokratike të zgjedhjeve dhe në Konventën VI të PDK-së që u mbajt më 27 janar të vitit 2013 ai mori votat e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për t’u bërë zëvendëskryetar u kësaj partie. Më pas, ai shërbeu edhe si kryetar i Kuvendit të Repbulikës së Kosovës.