Kaçanik, 192 qytetarë u helmuan nga uji
Lexohet për: 3 min.
kacanik
2 vite më parë
Linku u kopjua

Një delegacion qeveritar kryesuar nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha ka qëndruar në Kaçanik pas shtimit të numrit të pacientëve të cilët, tashmë pas rezultateve të IKSHPK-së, konfirmohet se janë helmuar prej ujit.

Në pesë dittë e fundit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjithsej 192 qytetarë, prej të cilëve shumica janë me simptoma të njëjta si: temperaturë, ethe, diarre, vjellje, mundim. 

Lajmi i mirë është fakti se të gjithë qytetarët e trajtuar janë në gjendje të përmirësuar shëndetësore, pa asnjë referim për hospitalizim.

Nga mostrat e ujit të marra, analizat bakteriologjike kanë treguar se këto mostra të ujit nuk i plotësojnë standardet e ujit të pijshëm.

IKShKP ka rekomanduar raportimin e menjëhershëm të rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, pastaj qytetarët të vazhdojnë të informohen që uji që përdoret për pije dhe ushqim paraprakisht të vlohet, të instalohet klorinatori në rezervuarin kryesor, të monitorohet cilësia e ujit, marrja e të gjitha masave për njoftim dhe vetëdijesim të qytetarëve për situatën e krijuar, si dhe rekomandim kryesor ky sistem të sanohet dhe të futet nën menaxhimin e KRU “Bifurkacioni”.

Përpos zv.ministres Gexha ka qenë edhe zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, deputetët anëtarë të Komisionit parlemnetar për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku dhe Mirsad Shkreta.

Të njëjtit tje janë takuar me kryetarin e Komunës Kaçanikut, Besim Ilazi, drejtoreshën e QRShP- Ferizaj, Dr. Sevdije Mehmetin, drejtorin e QKMF-së, Dr. Sinan Zenelin me bashkëpunëtorë.

Në këtë takim është siguruar përkrahja nga niveli qendror dhe delegacioni nga Prishtina është informuar për së afërmi me ngjarjen dhe situatën. 

Po ashtu, janë vizituar edhe disa burime e rezervoare shpërndarëse të ujit në fshatrat Dubravë e Biçec, të kësaj komune.

Ministria e Shëndetësisë thotë se do ta përcjellë me vëmendje situatën dhe bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe institucionet e tjera relevante për hulumtimin e mëtutjeshëm të rastit.

Ndërkohë, deri në sanimin dhe eliminimin e të gjitha problemeve me ujin, u bëhet thirrje qytetarëve të Komunës së Kaçanikut që si masë preventive të vlojnë ujin, i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose të shfrytëzohen resurset e tjera që kanë ujë të sigurt.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025