Ka ndërruar jetë Dash Golaj, veprimtar, përkrahës i LDK-së dhe mik i ngushtë i presidentit Ibrahim Rugova.
Dash Golaj, është vlerësuar gjithmonë si kryefamiljari i të gjithëve. Fjala e tij gjithmonë kishte peshë dhe ishte bindëse se ishte burrë i urtë, me të gjitha virtytet e një shqiptari, një kuvendari.
“E nderuar familje Golaj,
Ishte i dhimbshëm lajmi për ndërrimin jetë të patriotit e veprimtarit të shquar, plakut të urtë e human, njeriut të përzemërt të Presidentit Rugova, bacës Dash Golaj.
Plaku i urtë e me plis të bardhë, baca Dash, ishte pajtues i shumë familjeve shqiptare; urtësia e tij ishte e bazuar në vlerat më të larta të kombit tonë. Baca Dash ishte një veprimtar i dalluar i LDK-së, i cili njëherit kishte raporte të ngushta me Presidentin historik, Ibrahim Rugova. Ai ishte gjithmonë aty ku i duhej atdheut. Roli i njerëzve si ai ishte i domosdoshëm e vendimtar në momente kritike për vendin.
Ikja e bacës Dash është humbje e madhe jo vetëm për familjen por edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sa herë që e takonim në Gjakovë, ai me plisin e tij mbi kokë rrezatonte dashuri e maturi. Ishte inspirim për gjeneratat e ardhshme, se si duhet punuar e angazhuar për vendin. I tillë do të mbetet kujtimi për bacën Dash, si personalitet që dha shumë për Kosovën, në rrugëtimin e saj të vështirë për ta arritur lirinë dhe krijuar shtetin.