Flen me lutjen që të mos zgjohet të nesërmen. Thotë se për të dielli më nuk rrezoi kurrë. Që nga lufta po jeton me shenjat në trup të kriminelëve serbë, të cilët ia shuan rininë. Kujton çdo detaj të 15 orëve ku ajo bashkë me djalin e saj u keqtrajtuan në format më mizore. Jo rrallë i kthehet makthi i para 25 vitesh, ku mëngjesin e një ditë pranvere u morr nga forcat serbe dhe u dhunua seksualisht në një stacion policor. Ajo po punonte si infermiere dhe ishte nisur për të dërguar veshmbathje dhe medikamente medicinale për ushtarët e UÇK-së. Pas aktit makabër, ajo kishte tentuar t’i jap fund jetës. Që nga ajo kohë po përballet me shëndet të ligë, së voni është operuar për heqjen e kancerit në gji. Një jetë plot vuajtje e me kushte jo të mira, megjithatë siç tregon, detyrohet të gjitha shpenzimet t’i mbulojë vet.
Emri Afërditë, viktimës i është vënë nga redaksia e KosovaPress, me qëllim të mbrojtjes së identitetit të saj.Duke folur për momentin e rëndë, ajo kujton fytyrën e secilit kriminel serbë, që përkundër rezistencës së saj, e maltretuan dhe e keqtrajtuan në format më çnjerëzore.
Nuk u mjaftuan me kaq, madje tentuan që ta detyronin një shqiptar për ta dhunuar Afërditën. I njëjti kishte rezistuar, duke mos pranuar në asnjë formë një gjë të tillë.
Mes lotëve flet për jetën e saj që nga viti 99, për çka thotë se nuk gëzoi më asnjë ditë të mirë.
Jeta pas luftës i kujton vështirësitë shëndetësore e financiare, por thotë se pengun më të madh kishte “moralin”.
Feride Rushiti, e cila udhëheq Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) thotë se të mbijetuarit nuk po gëzojnë të drejtat e garantuara me ligj.
Selvi Izeti e cila punon më shumë se 15 vjet me të mbijetuarit e dhunës seksuale thotë se gratë e burrat kanë nevoja të theksuara për shërbime shëndetësore.
Lidhur me këtë, KosovaPress ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Drejtësisë, por sipas tyre “çështja e personave të dhunuar nuk është në fushëveprimin e Ministrisë se Drejtësisë”.
14 prilli shënon ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Deri më tani janë rreth 2100 raste të cilat kanë aplikuar në komision dhe rreth 1600 prej tyre që e gëzojnë pensionin personal si te mbijetuar të dhunës seksuale. /Sh.Pajaziti
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...