Ambasada e Italisë në Kosovë është duke mbajtur edicionin e tretë të Javës italiane të kuzhinës, 13-19 nëntor, e cila mbahet në mbarë botën me temën “Shëndetshëm, qëndrueshëm dhe biznes”, motoja e së cilës sivjet është “Në tryezë me kuzhinën italiane”.
Qëllimi i kësaj jave është që të promovohet dieta mesdhetare, e cila ndihmon në luftimin e sëmundjeve vdekjeprurëse siç janë ato kardiovaskulare.
Diplomati italian ka thënë se ushqyerja duke respektuar dietën mesdhetare ndihmon edhe në uljen e sëmundjeve vdekjeprurëse.
Për më tepër, diplomati italian ka treguar edhe shifra të eksportit të produkteve italiane brenda vitit në mbarë botën.
“E kur flasim për biznesin, prodhimet agro-ushqimore me një cilësi të lartë, e kanë të sigurt edhe eksportin e tyre. Italia është një ndër vendet, ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë, 100 miliardë diku në vlerë prodhon produkte agro-ushqimore, të certifikuara. Po ashtu, ka eksportin më të madh vjetor, diku mbi 60 milionë në vit eksport të këtyre produkteve të licencuara”, ka thënë De Riu.
Ai ka folur edhe për prodhimet italiane të certifikuara, duke thënë se Italia ka 527 lloje të verërave, mbi 300 lloje të ushqimeve të certifikuara, që njëherësh e bëjnë atë një vend si atraksion edhe turistik.
“Pikërisht sot nga Italia kemi sjellë një institut të hotelerisë, pikërisht ata që e kanë përgatitur sonte ushqimin që tregon se në tërheqjen e turizmit është shumë i rëndësishëm edhe edukimi i personave që do t’i mikpresin këta njerëz...E kur flasim për institutin tonë Carbone, bashkë me kryetarin që është tash te dera, ishim në një vend të organizuar dhe instituti ynë Carbone është njëri ndër tridhjetë institutet më të mira në Evropë për ushqim dhe pikërisht vitin e ardhshëm do të fillojë një projekt i kooperacionit italian për edukimin, krijimin e kapaciteteve në Kosovë, sepse mesazhi ynë, qëllimi ynë, mesazhi edhe i vendit që prezantoi është që këtu të krijojmë njerëz të aftë që rrinë, kontribuojnë dhe punojnë për këtë vend dhe i tërheqin turistët dhe nuk e kanë për synim largimin”, ka thënë de Riu.
Ndryshe, nesër Ambasada e Italisë do të mbajë një tjetër event ku do të prezantohen prodhimet e shëndetshme italiane, dhe do të bëhet një prezantim i madh me kuzhinierët e gatimit.