Mbrojtja e luftës së drejt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetit tonë është obligim i secilit qytetarë dhe kjo kërkon unifikim i të gjithë spektrit politik dhe secilit qytetarë sepse vetëm të bashkuar mund ta fitojmë edhe këtë betejë. Ky ishte mesazhi i familjes Jashari në akademi përkujtimore të organizuar për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emër të familjes Jashari të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtuar Bekim Jashari, i cili tha se Epopeja e UÇK-së na kujton historinë e lavdishme popullit tonë, luftën e shumë brezave që nuk kursyen asgjë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
Jashari shtoi se institucionet tona me mbështetjen e secilit nga ne ta ndalin ikjen e të rinjve përmes punësimit.
“Luftën që fituam me gjak nuk guxojmë ta humbim assesi sot në tavolinë, andaj mbrojtja e luftës së drejt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetësisë sonë, është obligim i secilit nga ne. Kjo kërkon unifikim të gjithë spektrit politik dhe secilit nga ne sepse vetëm të bashkuar mund ta fitojmë edhe këtë betejë, ashtu siç e fituam dje”, tha ai.
Ai tha se krismat e pushkëve të Jasharëve të Prekazit u shumëzuan me numrin e ushtarëve të UÇK-së, duke u shumëfishuar dhe dhënë për rezultat krismat edhe më të mëdha të armëve të aleatëve tanë që janë bashkuar në luftë për çlirimin e Kosovës përmes ndërhyrjes së NATO-s.
Kryeministri, në akademinë përkujtimore në 25-vjetorin e “Epopesë së UÇK-së tha se rezistenca e familjes Jashari më 5,6 dhe 7 mars i vitit 1998 ishte akti kulmor në dramën me shumë akte të përpjekjeve të popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Ai nënvizoi se Adem Jashari është gjallë në jetët e secilit prej atyre që vendosin të ndjekin rrugën e të njëjtave ideale sikurse ai.
“Besatimi i Adem Jasharit për liri, se vetëm një vdekje e tjetër s’ka në këtë jetë, i solli atij vdekjen më fisnike, si i rënë dëshmor për liri, e që i dha Adem Jasharit frymë të pavdekshme mes të gjallëve, sepse “Ai është gjallë” edhe sot. Adem Jashari është gjallë në kujtimet e atyre që patën fatin ta kenë në familje, në përvojat e atyre që e shoqëruan teksa printe në luftime, në mësimet e atyre që studiojnë për të nga historia dhe në jetët e secilit prej atyre që vendosin të ndjekin rrugën e të njëjtave ideale sikurse ai.”, tha tutje kryeministri Kurti.
“Prekazi nga ajo ditë e tutje është bërë pjesë e kujtesës sonë historike jo vetëm për..por edhe në radhët e para për shkak se ideali i lirisë së shqiptarëve i kishte thirrur ata, Jsharajt dhe të tjerët në skenën e historisë. Edhe sot pas 25-vjetësh të Epopesë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prekazi vizitohet nga miliona shqiptarë, pa marrë parasysh a i ishin me luftën çlirimtare të UÇK-së apo ishin kundër saj”, tha ai.
Ndërkaq, historiani Durim Avdullahu u shpreh se është thënë shumë herë se historia e familjes Jashari është unikale në gjithë historinë dhe kjo është e vërtetë.
Në fund të akademisë përkujtimore organizuar për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u mbajt edhe një koncert i Orkestrës së Filharmonisë dhe FSK-së.