Jasharaj: Qeveria nuk ka kohë për dialog, pasi është në vizita e shëtitje në Komuna
Lexohet për: 6 min.
305788188_2331744210308550_147472337829785876_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Rrahman Jasharaj, tha se greva është duke vazhduar. Ai tha se në vend të dialogut Qeveria po humb kohë duke u shëtitur në Komuna.

Jasharaj në një konferencë për media tha se greva po vazhdon për shkak të mungesës së gatishmërisë së Qeverisë që të fillojë me dialog.

“Ajo që bie në sy dhe nuk është e mirë, në vend të dialogut Qeveria në përgjithësi po humb kohë e orë, duke shëtitur nga një komunë në tjetrën, por edhe duke vizituar aty ndonjë shkollë...Po vazhdon greva fatkeqësisht në mungesë të gatishmërisë së Qeverisë që të ulet me përfaqësuesit e sindikatës për të bisduar dhe për të gjetur zgjidhje, dhe kështu do të vazhdojë greva”, tha ai.

Jasharaj tha se deklaratat e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci se dyert janë të hapura për dialog, sipas tij janë për të krijuar porosi të gabuara. Sipas tij Nagavci nuk ka kohë për dialog, pasi është në vizita dhe shëtije.

“SBAShK-u dhe sindikatat tjera janë në pritje të dialogut, dhe deklarata e ministres Nagavci se dyert janë të hapura por SBAShK-u nuk po bënë dialog, janë sa për të krijuar një porosi të gabuar... Ajo tani nuk po ka kohë sepse po shkon nëpër vizita e shëtitje, por për tu takuar me ne, duhet të kemi shkresë, ftesë dhe orë të caktuar, sepse nuk jemi në një situatë kur po përcëllim grevën, rrjedhën e saj, të shkojmë të MAShT-i, të presim me orë të tëra kur t’i teket asaj të na takojë, nëse e ka sinqerisht të na dërgojë një letër dhe do të shkojmë. Por, një letër të tillë po e presim nga Kurti, i cili duhet ta ndërrojë qëndrimin ndaj sindikatave dhe ta lexojë ligjin e grevave”, tha ai.

Jasharaj ka thënë se në arkiva të BSPK-së janë 82 shkresa për takime, e po ashtu edhe në arkiva të SBASHK-ut, duke pritur takime për dialog.

“Dialogu është çelësi i zgjidhjes së kësaj çështje. Ata janë barrikaduar gjithë këtë kohë, po harxhojnë duke shëtitur kot në komuna, duke u takuar edhe me grupe të vogla të njerëzve, e nuk po e kanë një ditë kohë me u ulur me ne. Ne jemi të gatshëm edhe të dielave apo të shtunave për takim. Po u ulën me ne dhe i diskutuam çështjet dhe filluan së realizuari kërkesa, atëherë situata do të stabilizohet. I vetmi fajtor është Qeveria”, ka thënë Jasharaj.

Ndërsa sa i përket të drejtave të nxënësve për shkollim, Jasharaj tha se është faji i Qeverisë që nuk po ulet të bisedojë me SBAShK-un.

“Deklaratat e Qeverisë se po shkelet e drejta e nxënësve, ne pikërisht këtë të drejtë të nxënësve e kemi mbrojtur me sakrifica gjatë viteve 1990-ta, por ne kemi shtetin tonë. Me Kushtetutë e ligje, greva është diçka ligjitime. Ne nuk po e shkelim të drejtën e fëmijëve, por ne po mbrojmë të drejtën tonë. Të drejtën e fëmijëve po e shkel Qeveria e cila nuk po bisedon me ne. Ka pasur nëntë muaj kohë t’i mbrojë të drejtat e fëmijëve”, tha ai.

Ndërkaq ka shtuar se greva nuk po zbehet, dhe sipas tij edhe nëse në grevë janë 50 shkolla të Kosovës,  Qeveria duhej të vinte e të bisedonte me SBASHK-un.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Shqipëri, Nevrus Kaptelli, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të dialogojë me sindikalistët e Kosovës, pasi sipas tij, dialogu është mënyra e vetme për të dalë nga situata e tillë.

“Me këtë rast unë do të i bëja thirrje Ministrisë se Arsimit të Kosovës, Kryeministrit të Kosovës që nuk ka asnjë rrugë tjetër, nuk ka asnjë mënyrë tjetër përveç uljes në tavolinën e bisedimeve për të marrë në konsideratë për të vlerësuar kërkesat e sindikatës  së arsimit të Kosovës. Nuk ka ndonjë shtet demokratik  në botë ku qeveria nuk respekton mendimet e arsimtarëve”, tha ai.

Sipas tij vlerësimi i arsimit është më shumë buxhet për arsimin, më shumë vlerësim për kushte të mira për punë e arsimtarëve dhe paga më të larta për arsimtarët.

“Problemi thelbësor i të dyja shteteve tona për arsimin është buxheti i ulët në krahasim me GDP-në e shteteve. Edhe Kosova edhe Shqipëria investojnë diku 3.6 për qind të GDP-së që Qeveritë vendosin për arsim, kjo është e pa mjaftueshme...22:25 Kur qeveritë do të kuptojnë që buxhetet për arsim në Shqipëri dhe Kosovë nuk duhet të jenë më të vogla se 5 për qind e prodhimit të brendshëm Bruto , atëherë fillon zgjidhja e problemeve të arsimit”, ka thënë Kaptelli.

Kryetari i Këshillit grevist në SBAShK, Reshit Kushaj foli për rrjedhën e grevës. Ai tha se greva do të ndërpritet kur të realizohen kërkesat e SBAShK-ut, e cila është ndarja e 100 eurove për mësimdhënësit deri në miratimin e Ligjit për paga.

“Shkollat janë në grevë, greva mund të ndërpritet vetëm atëherë kur kërkesa jonë do të gjejë mirëkuptim dhe do të pranohet nga qeveria e Kosovës. Kemi disa individ në shkolla që kanë tentuar të punojnë, dhe ata janë të shtyer nga përfaqësuesit qeveritar, të cilët, vazhdimisht kanë vizituar shkollat nëpër komuna të Kosovës, kanë vizituar edhe komunat për t’i bindur që mësimi të fillojë. Por, kjo nuk ka pas efekte dhe nuk ka dhënë rezultatet që kanë dëshiruar ata”, tha ai.

Greva ka filluar nga 25 Gushti, e cila po vazhdon edhe sot. /E.Krasniqi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025