Policia e Kosovës ka konfiskuar një pushkë me dy karikatorë, si dhe 115 fishekë, mbrëmë në shtëpinë e ish-policit në fshatin Hrvatska të komunës së Leposaviqit.
Burime të KosovaPress-it, bëjnë të ditur se bëhet fjalë për ish-policin e Kosovës me inicialet S.U. (emri i plotë i njohur për redaksinë), pjesëtar i nacionalitetit boshnjak, i cili pati dhënë dorëheqje nga policia në nëntor të vitit 2022.
Burime të sigurta nga veriu, kanë shtuar se në mesin e policëve të dorëhequr të cilët vazhdojnë të marrin paga nga institucionet e Kosovës, është edhe ish eprori i policisë së Kosovës me inicialet B.R., tek i cili policia pati gjetur arsenal armësh para dy javësh në Zveçan.
Mësohet se janë gjithsej rreth dhjetë persona nga katër komunat veriore të cilët patën braktisur policinë më 7 nëntor 2022 dhe vazhdojnë të marrin paga nga Republika e Kosovës.