“Jam duke shkuar në fitnes”, Batatina kujton bisedën e fundit me Fadil Vokrrin
Sport
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
“Jam duke shkuar në fitnes”, Batatina kujton bisedën e fundit me Fadil Vokrrin
batatina-090626
09/06/2026 - 12:56
Linku u kopjua

Kanë kaluar tetë vjet nga ndarja e parakohshme nga jeta e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, njeriut që la gjurmë të pashlyeshme si në fushën e blertë ashtu edhe në drejtimin e futbollit të Kosovës. Në përvjetorin e tetë të vdekjes së tij, figura e ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës vazhdon të kujtohet me respekt nga komuniteti sportiv.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, tha për KosovaPress se humbja e Vokrrit mbetet një nga momentet më të dhimbshme për futbollin dhe sportin kosovar.

“Sot është ditë pikëlluese për krejt shtetin e Kosovës, për krejt qytetarët e Kosovës, për krejt futbolldashësit, për komunitetin sportiv të futbollit. Ishte një datë e rëndë , një datë e dhimbshme, ishte një ikje e papritur e legjendës tonë, presidentit tonë historik Fadil Vokrri. Një njeri i cili do të mbetet gjithmonë në analet e historisë së futbollit kosovar dhe mbarë shqiptar. Duke ditur se falë kontributit të tij, falë angazhimit të tij, falë menaxhimit të tij që ka pasur, ka arritur që në momentet vendimtare, Kosovën dhe futbollin e Kosovës ta kthejë në arenën ndërkombëtare. Mendoj që falë kontributit të Fadilit dhe falë bagazhit që ka pasur si personalitet, si futbollist, në arenën ndërkombëtare ka bërë që ne ta pranojmë atë në FIFA në UEFA. Edhe mendoj që ikja e tij e papritur është e dhimbshme, por gjithmonë duhet të jemi krenarë që kemi pasur një legjendë si Fadil Vokrri. Nuk duhet të harrohen legjendat si Fadil Vokrri”, tha Batatina.

Duke kujtuar takimin e fundit me Vokrrin, Batatina tregoi një episod që sot e kujton me emocione të veçanta. Ai tha se biseda e fundit mes tyre kishte ndodhur në zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovës, pak para se Vokrri të ndërronte jetë.

Sipas tij, Vokrri i kishte treguar se po shkonte në fitnes, ndërsa ai e kishte këshilluar të kishte kujdes me ngarkesat fizike pas përfundimit të karrierës sportive.

“Komunikimin e fundit që e kam pasur me Fadil Vokrrin mund të them ishim në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe më tha: “Batatinë jam duke shkuar...” pikërisht aty ku e humbi jetën. Tha jam duke shkuar në fitnes. Dhe në zyrë i thashë, president të kesh kujdes që e aplikon fitnesin, tha pse Batatinë tha. Duhet të keni kujdes sepse gjithmonë sportistat dhe futbollistat e mëdhenj, ata që merren me aktivitet sportiv, kur ta lënë futbollin dhe aktivitetin sportiv duhet të kenë kujdes se si do t'i qasen pjesës fizike apo pjesës së ngarkesave fizike në fitnes. Thashë se në bazë të saj që unë kam lexuar nëpër shumë literaturë shkencore sportive, është gjëja më e rrezikshme do të thotë kur e përfundon karrierën si sportist, për një kohë pauzon dhe pastaj i kthehesh aktivitetit fizik. Për atë arsye do të thotë mund të kesh edhe probleme të tjera të cilat mund të vijnë deri te një problem shumë i madh. Edhe qeshim në atë kohë do të thotë, edhe ato kanë qenë momentet të cilat do të thotë ishte para fillimit të sezonit”, tregoi Batatina.

Batatina theksoi se trashëgimia që la pas Fadil Vokrri vazhdon të jetojë në sukseset e futbollit kosovar, duke shtuar se brezat e rinj duhet ta njohin dhe ta vlerësojnë rolin që ai pati në rrugëtimin e Kosovës drejt FIFA-s dhe UEFA-s.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026