Ismaili në Forumin e Huamarrësve Qeveritar të Thesarit të BB thekson arritjet e tregut financiar të Kosovës
Lexohet për: 3 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili mbajti fjalë hyrëse në Forumin e nivelit të lartë të Huamarrësve Qeveritar, organizuar në Prishtinë. Në njoftimin e BQK-së thuhet se kjo ngjarje shënon një moment historik pasi Republika e Kosovës është nikoqire për herë të parë. Forumi i Thesarit të Bankës Botërore në ngjarjen e sivjetme ka bërë bashkë krye-ekonomistë, menaxherë të borxhit publik dhe drejtues të thesarit, bankierë qendrorë dhe ekspertë politikash, me pjesëmarrjen e 70 zyrtarëve nga 30 vende/institucione financiare botërore.

Në fjalën hyrëse, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës me grupin e Bankës Botërore, duke theksuar ndikimin transformues të këtij partneriteti, me theks pasi BQK-ja i është bashkuar Programit për Këshillimin dhe Menaxhimin e Rezervave (RAMP) në tetor 2023.

“Guvernatori Ismaili gjatë adresimit shfrytëzoi rastin për të ndarë me pjesëmarrësit disa nga zhvillimet kryesore brenda tregut financiar të Kosovës, duke përmendur arritjen historike të marrjes së Vlerësimit të parë Kreditor në muajin prill 2024. Ky zhvillim jo vetëm që lehtëson hyrjen e investitorëve botëror në tregun e Letrave me Vlerë në vendin tonë, gjithashtu krijon terrenin për avancim në zhvillimin e tregut të kapitalit në të ardhmen. Përveç kësaj, Guvernatori Ismaili dha një pasqyrë të evolucionit të tregut të Letrave me Vlerë të Republikës së Kosovës. Ai theksoi zhvillimin e instrumenteve të lehtësimit të likuiditetit, si kreditimi njëditor dhe REPO (marrëveshjet e riblerjes) nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se gjatë forumit, përveç ekspertëve të njohur financiarë, menaxherëve të borxhit publik dhe drejtues të thesarit, në panele morën pjesë edhe zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Personeli i BQK-së kontribuoi në mënyrë aktive duke ofruar dhe shkëmbyer njohuri mbi perspektivat dhe sfidat e Kosovës brenda kontekstit financiar botëror. Pjesëmarrja e tyre pasuroi diskutimet, duke ofruar perspektiva të vlefshme se si Republika e Kosovës adreson dhe përshtatet me një kontekst financiar në zhvillim.

“Në fund, fjalimi i Guvernatorit Ismaili shprehi nevojën për të përmirësuar infrastrukturën e tregut dhe kornizës rregullatore, dhe përpjekjet e Kosovës për t'u përafruar me agjendat evropiane, duke vënë në pah vendosmërinë e vendit tonë në forcimin e ekosistemit financiar”, thuhet në njoftim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024