Islami: Dështoi përpjekja e Radoiçiq dhe vartësve të tij për të provokuar situatën në veri
Lexohet për: 2 min.
454373027_8420681064633393_5063706939333698338_n
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Analisti i çështjeve të sigurisë Avni Islami ka folur rreth protestës së sotme të serbëve afër urës në Mitrovicën e Veriut  dhe lidhjes së tyre me organizatorin e sulmeve terroriste të Banjskës më 24 shtator 2023, Milan Radoiçiq dhe vartësit e tij.

Në një postim në Facebook, Islami ka thënë se njëri personat e arrestuar, Stefan Velkoviq është mik i afërt me Milan Radoiçiq dhe Igor Simiq.  

Ai ka postuar edhe foto në të cilat dëshmohet lidhja e afërt e Velkoviq me Radoiçiq dhe Simiq.

“Stefan Velkoviq (me rreth të verdhë), mik i vjetër i Igor Simiq (me rreth të kuq) - njërit prej njerëzve më të afërt të terroristit Milan Radoiçiq. Fotografia numër një është sot, gjatë pro(testa)vokimit që Velkoviq provokoi edhe Policinë e Kosovës edhe punëtorët fizikë që me bojë po fshinin parullat e organizatës terroriste Severna Brigada (Brigada e Veriut). Ndërkaq, fotografitë e tjera tregojnë afërsinë e Stefan Velkoviq me Igor Simic (foto 2), dhe afërsinë e Simiq me Milan Radoiçiq (foto 3)”, ka shkruar Islami. 

Ndryshe, sot rreth orës 11:00, një grup serbësh janë tubuar në një lokacion afër urës në Mitrovicë Veri dhe kanë penguar punëtorët e kontraktuar dhe të angazhuar nga autoriteti kompetent, për të pastruar grafite me mbishkrime nacionaliste që krijojnë nxitje dhe urrejtje si "Severna brigada" etj. të cilat ishin në shesh afër urës.

Serbët janë paralajmëruar disa herë të mos pengojnë punën dhe të largohen, por ata kanë provokuar dhe kanë nxitur tensione.

Njësitet policore relevante, me qëllim të qetësimit të situatës dhe krijimit të mundësive për punë, janë detyruar të veprojnë dhe kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim dy persona Stefan Velkoviq dhe Aleksandar Arsenijeviq, të cilët më pas janë liruar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025