Ish-ylli i Chelseat pensionohet në moshën 26 vjeçare
Lexohet për: 2 min.
2-Ish ylli
1 vit më parë
Linku u kopjua

Izzy Brown, i cili një kohë ishte parashikuar të prek majat e futbollit anglez nga Jose Mourinho, është detyruar të pensionohet nga futbolli profesionist në moshën 26 vjeçare.

Mesfushori me tipare sulmuese ishte pjesë e Chelseat për tetë vite, por arriti të bëjë vetëm një paraqitje për “Blutë” pasi që kishte qenë në huazim plot shtatë herë, raporton KosovaPress.

Në vitin 2014, asokohe trajner i Chelseat, Jose Mourinho parashikonte se 17 vjeçari Brown, së bashku me Dominic Solanke dhe Lewis Baker, do të ishin e ardhmja e futbollit anglez.

Brown kishte qenë pjesë e Kombëtares së Anglisë deri në grupmoshat U20, dhe ishte pjesë e skuadrës së grupmoshave U17 e cila e fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2014.

Brown u largua nga Chelsea drejt Preston North End në vitin 2021, por pësoi një lëndim të rëndë në thembrën e akilit gjatë stërvitjes para-sezonale dhe nuk luajti kurrë për ta.

Sot, përmes një mesazhi emocionues në rrjetet sociale, Brown tha se lëndimi i tij, i cili e detyroi të hynte në dy operime, i ka dhënë fund ditëve të tij si lojtar.

“I dashur, futboll, me të vërtetë nuk e di se nga t’ia filloj, edhe pse gjithmonë kam menduar se më duhet ta shkruajë këtë gjë një ditë, vetëm se nuk e dija se kjo ditë do të vjen kaq shpejtë. Me keqardhje të madhe dhe një zemër të rënduar, dhe një vit të gjatë duke vuajtur nga dy operime në thembrën e akilit, tani më duhet të pensionohem nga futbolli”, shkroi Brown.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024