Ish-togeri i Policisë së Kosovës pranon fajësinë për spiunazh
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Ish-togeri i Policisë së Kosovës pranon fajësinë për spiunazh
Bojan Jevtiq
19/05/2026 - 15:20
Linku u kopjua

Ish-togeri policor, Bojan Jevtiq ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale, ndërsa gjatë kësaj seance pritet të shqyrtohet marrëveshja e arritur ndërmjet palëve.

Rasti lidhet me akuzat për spiunazh dhe posedim të paautorizuar të armëve, për të cilat autoritetet kanë zhvilluar hetime paraprake.

Jevtiq, i cili është suspenduar nga Policia, në bazë të aktakuzës i ka dërguar Serbisë dokumente konfidenciale e sekrete, duke i dorëzuar nëpërmjet platformave të komunikimit me internet, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, shkruan Dukagjini, transmeton KosovaPress.

Në të shkruhet se i akuzuari ia ka dërguar ato Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë të Serbisë (BIA) dhe se me këtë veprim është rrezikuar rëndë siguria e Kosovës, për çka prokuroria ka kërkuar që dënimi ndaj tij të jetë konform paragrafit 6 të nenit 124 të Kodit Penal, që parasheh dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.

“Nga një periudhë kohore e pacaktuar e deri më datë 17.07.2025, respektivisht deri në momentin e arrestimit të tij, i pandehuri [e redaktuar], në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger dhe në detyrën e Shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor Kufitar [e redaktuar], me dashje dhe në mënyrë të vazhdueshme, ka mbledhur, siguruar dhe transmetuar informacione dhe dokumente zyrtare të klasifikuara si ‘Konfidencial’ dhe ‘Sekret’, që ndërlidhen me sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën për Bojan Jevtiqin.

Ndryshe, ditë me parë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Bojan Jevtic për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.

Sipas Prokurorisë Speciale, Jevtiqi i ka dërguar BIA-s informata si shkak i të cilave janë rrezikuar jetët e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë së Kosovës e edhe qytetarëve.

Në aktakuzë theksohet se aplikacionet e mesazheve WhatsApp dhe Telegram janë përdorur për t’i transmetuar sekretet shtetërore të zyrtari i BIA-s, me nofkën “Qira”, e me të cilin është takuar edhe fizikisht në disa raste në Beograd.

“Me këto veprime, i pandehuri edhe pse në dijeni për natyrën e klasifikuar të dokumenteve dhe pasojat e mundshme, ka cenuar rëndë sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në aktakuzë.

Për spiunazh në Kosovë është dënuar ish-polici i Kosovës, Aleksandar Vlajiq me pranim fajësie vitin e kaluar. Sivjet në shkallë të parë është dënuar edhe zyrtarja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq. Ajo është dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në paraburgim nën dyshimet për spiunazh është edhe Fatmir Sheholli, që ishte pjesë e Sigurimit Shtetëror të Serbisë në vitet e 90-a.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026