Ish-punëtorët e ndërmarrjes publike “Trepça” po akuzojnë menaxhmentin aktual të kësaj kompanie për degradim dhe ndërprerje të padrejtë të kontratave të punës, raporton KosovaPress.
Ish-punëtorja e Ndërmarrjes “Trepça”, Valdete Shabani, në një prononcim për KosovaPress ka ngritur akuza ndaj menaxhmentit të kësaj ndërmarrjeje, duke pretenduar për degradim në pozitë, transferime të njëpasnjëshme dhe ndërprerje të padrejtë të kontratës së punës.
“E punësuar në ndërmarrjen Trepça që nga viti 2011, deri në nëntor të vitit 2025. Nga viti 2011 në ndërmarrjen Trepça kam kaluar në pozita të ndryshme, ku zakonisht kam punuar në departamentin e Administratës dhe Financave. Nga ai vit, çdo herë të gjitha detyrat e caktuara nga udhëheqësit i kam kryer me shumë sukses në ndërmarrjen Trepça, në departamentin e Financave dhe Administratës, gjithmonë kam qenë si punëtore më e dalluar. Deri në janar të vitit 2024, kur në ndërmarrjen Trepça ka ardhur udhëheqësia që përbëhet nga drejtori Shyqyri Sadiku, kryeshefi Faton Ahmeti, drejtori ligjor Arianit Voca si dhe komisioni disiplinor dhe Komisioni i Ankesave. Në shtator të vitit 2024 unë kam pasur transferin e parë, ku jam larguar nga departamenti i flotacionit Tuneli i Parë dhe jam dërguar në Metalurgjinë e zinkut. Aty ku jam dërguar unë jam degraduar me pozitë, po ashtu më kanë dërguar në një vend ku kushtet e punës kanë qenë shumë të rënda” – tha Shabani.
Sipas saj, pas paraqitjes së ankesave në gjykatë dhe në inspektorat, menaxhmenti ka ndërmarrë masa të tjera ndaj saj, duke e transferuar në një njësi tjetër, me kushte më të vështira dhe largësi të konsiderueshme.Shabani ka theksuar se për rastin e saj ka ndjekur rrugë ligjore, duke fituar vendime në favor nga gjykata dhe duke bërë ankesa edhe në inspektorat, i cili sipas saj ka konstatuar shkelje nga ndërmarrja.
Ajo ka shtuar se arsyetimet për transferet, sipas menaxhmentit, kanë qenë të lidhura me nevoja për rikonstruim, por që sipas saj këto nuk kanë qenë të bazuara.
“Jam i punësuar në vitin 2019, kurse në vitin 2025 më është shkëputur kontrata. Në vitin 2024 unë kam pasur problem shëndetësor, faktikisht tumor në kokë, po atë vit jam operuar dhe pas operimit nuk kam qenë keq, por më pas më është përsëritur, domethënë e kam përsëritëse sëmundjen. Kam edhe dokumente të radiologjisë që është recidivë dhe mjeku e ka konstatuar se 6 muaj duhet të jem në shtëpi, pa pasur aktivitete, kurrfarë aktiviteti, vetëm brenda” – tha Brahimi.
“Kur kam hapur pushimin në ndërmarrje, çdo gjë është në rregull, se ata më kanë dërguar një ftesë në muajin e tetë, në fakt sakt datën nuk e di, ma kanë dërguar ftesën për me shku në komision disiplinor dhe më kanë shkëputur kontratën. Ata, krejt kërkesat, kinse unë nuk kam qenë në punë, në fakt unë kam qenë në pushim mjekësor dhe për atë më kanë shkëputur kontratën. Pretendimi i tyre ka qenë se 59 ditë unë kam munguar në punë, diçka e tillë. E parasheh 20 ditë normal si të takojnë plus është edhe pushimi mjekësor pa pagesë. Po, pa pagesë pushim, asnjë cent s’e kam marrë prej ndërmarrjes. Nuk kam dashur as me dëmtu ndërmarrjen, ka të tjerë që çdo muaj kanë qenë të liruar prej pune, kam edhe dokumente ku mund ta dokumentoj; ata kanë qenë të liruar, nuk kanë shkuar në punë. Unë as nuk kam kërkuar pagë, jo për qejf por për zor ka qenë kjo, mjeku e ka konstatuar”, tregoi ai.
Në anën tjetër, Faton Ahmeti, kryeshef i Ndërmarrjes Trepça, ka sqaruar se transferimet dhe ndërprerjet e kontratave janë bërë sipas rregullave të ndërmarrjes, për të mbrojtur punëtorët me probleme shëndetësore dhe për të rregulluar listat e pagave.
Ahmeti shtoi se lëvizjet brenda ndërmarrjes nuk përbëjnë degradim, por janë të bazuara në diagnoza mjekësore dhe rekomandime të mjekësisë së punës, duke synuar ruajtjen e vendit të punës dhe mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve.
“Nuk e kisha trajtuar si degradim të vendit të punës, për arsye që këtu ka edhe raste që na duhet me i specifikuar, ku ne bëjmë kontrolle sistematike për shëndetin në punë, ku në bazë të atyre kontrolleve ose diagnozës që na jepet neve, thuhet se X punëtor nuk mundet me ushtru këtë aktivitet të punës. Për shembull, nëse ai ka probleme shëndetësore me zemër, nuk mundet me qenë xehetar në minierë. Në argument thuhet: të lutem zhvendose në një pozitë që është e përshtatshme për shëndetin e tij dhe ne këto lëvizje e këto rekomandime që i marrim prej mjekësisë së punës i vendosim nëpër pozicione aty ku kemi hapësira. Sa i përket problemeve që kanë, ne ju themi sëmundje profesionale, këto ne i kemi në një listë ku mundohemi me i mbrojtë këta persona, por shumica e rasteve edhe këta duhet neve me na kuptuar se e kemi një rregullore që aty nuk mund t’i themi: ti qëndron në shtëpi, unë ta jap ty rrogën. Ai duhet me hap një hapësirë, një formë që ne me mujt me ia ruajt vendin e punës. Problem është kur ai nuk është i kujdesshëm në këtë, është e pamundur unë si kryeshef me ia ruajt vendin e punës nëse ai nuk vjen 8 muaj për arsye shëndetësore; është e pamundur që unë me lëshu një vendim se këtij t’ia ruaj vendin e punës”-shtoi kryeshefi i Ndërmarrjes Trepça, Faton Ahmeti.