Ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi nga radhët e AKR-së, ka aderuar në partinë Nisma Socialdemokrate, që drejtohet nga Fatmr Limaj. Në një postim në Facebook, Matoshi ka treguar arsyet se pse ka aderuar në këtë subjekt politik.
“Sot jam i zhgënjyer me atë që e shoh në vendin tim, sot kur shtetet e ndryshme nga e gjitha bota ndërtojnë vepra të jashtëzakonshme të infrastrukturës dhe avancojnë me hapa shumë të shpejtë në zhvillim, unë, sikurse edhe të gjithë Ju ka muaj e vite që devijojmë rrugën tek Liqeni i Badocit, duke pritur ndërtimin e 15 metrave urë mbi një skaj të liqenit. Jam i zhgënjyer edhe për faktin se negocimet që arritëm t’i çojmë në fund për ndërtimin e ujëmbledhësve të rinj në Kosovë, u tjetërsuan, u ngadalësuan dhe nuk pati asnjë veprim konkret drejt fillimit të ndërtimit të tyre, ani pse fondet i lamë të siguruara. Republika e Kosovës vazhdon të mbetet bindshëm vendi më i varfër për rezerva ujore në Evropë. Vetëm marrja e pëlqimeve nga shtetet ku kalojnë lumejtë tanë (sipas ligjeve ndërkombëtare për ujërat), ka qenë sfidë e madhe dhe, edhe pse i morëm këto pëlqime dhe fondet, prapë ndërtimet nuk filluan”, ka shkruar Matoshi.Në njoftimin e kësaj partie thuhet se: “Ne jemi të nderuar, që Fatmiri është bashkuar me ne dhe së bashku do të rrugëtojmë në proceset që e presin vendin tonë. Ardhja e Fatmir Matoshit, një personaliteti të shquar, është dëshmia më e mirë se Nisma Socialdemokrate është adresa e duhur për të gjithë ata që duan ta japin kontributin e tyre për vendin. Ftoj edhe një herë të gjithë ata që janë të pakënaqur me drejtimin që ka marrë vendi të na bashkohen dhe bashkërisht t'i japim një drejtim të ri dhe të hapim një përspektivë të re vendit tonë”, njofton Nisma Socialdemokrate.